Home      My Books      Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare      Kafe Shkodra e Nju Jorkut      Children of Kosova      Fundjave ne Hillsajd      Zëra Nga Larg      POEZI      Udhëtim në Historinë Amerikane      Journey Into American History (impressions)      Takim me të papriturën      Yesterday I Cut My Hair      Ura mbi oqean      Magjia e një zëri      Ka gjithmonë diku - Përshtypje      Disa tregime nga autorja      Vjehërr amerikane      Intervista      Përkthime      Yjet nuk janë të kuq      Photographs  

 

 

Official Website of author

ALBANA MELYSHI LIFSCHIN

Ura mbi oqean

 

 

Arti nuk ka rrugë tjetër mbijetimi veç dy alternativave: të ketë nivel profesional dhe t'u shërbejë njerëzve. E kanë provuar dështimin njerëz me talent të fuqishëm, kur janë mbyllur në "kullat e fildishta" të artit për art. Kanë pësuar faliment edhe ata që kanë dashur t'i shërbejnë rritjes së ndërgjegjes qytetare të popullit apo kombit të tyre, por që nuk kanë patur talentin e nevojshëm.

Tek shqiptaro-amerikania Albana Mëlyshi Lifschin për fatin e saj, pse jo edhe të lexuesve, të dy cilësitë e vetme të mbijetimit qëndrojnë bashkë. Shpesh duket madje se arti dhe vlera shoqërisht e dobishme e tij rrinë tek kjo shkrimtare në një harmoni të plotë.

Pas tetë librave, ja edhe libri i nëntë i zonjës Lifschin: "Ura mbi oqean".

Arsyeja? Mes disa librave që botohen në vendin tonë çdo ditë, ku shumë tituj janë të shkrimtarëve më të dëgjuar botërorë, një publikim tjetër, pra ai që nuk vjen dot nga këto lartësi fame, e ka shumë të vështirë të tërheqë vëmendjen. Tregu shqiptar është i vogël, njerëzit kanë më urgjente probleme të tjera. Leximi i librave nuk është vetëm pasion i intelektualëve, por edhe i njerëzve të thjeshtë. Këta shkojnë në librari vetëm kur nuk kanë shqetësim bukën e përditshme. Sepse dihet që arti e ka fillesën kur njeriu filloi të krijojë kohën e lirë, kohën komode për vetveten.

Libri "Ura mbi oqean" ("Tregime nga Amerika") u drejtohet pikërisht njerëzve të thjeshtë. Këta mund të jenë edhe njerëz të dijes, por edhe punëtorë krahu. Mund të jenë të rinj, por edhe nga ata që kanë nisur t'u thinjen flokët. Frymëmarrja e gjërë e librit "Ura mbi oqean", për një ngjashmëri të rastësishme me vetë titullin, ka përmasën e ujrave të pafund të një oqeani. Tridhjetë e gjashtë tregimet e tij brenda dyqind faqeve rrëfejnë artistikisht jetën e emigrantëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në jo pak raste përshkruajnë edhe ngjarje nga jeta midis Shqipërisë dhe kontinentit amerikan, gjyshe që shkojnë në SHBA të takojnë nipërit e mbesat e tyre, një deputet nga Tirana, një tiranase që në Nju Jork shkoi sa për të mbledhur para që të bënte varrin e të vjehrrit.

Stili lakonik i rrëfimit, personazhet e gdhendura me dy-tre skalitje tiparesh, ngjarjet sa për një roman të tërë të ngjeshura në vetëm katër-pesë faqe, dinamika intensive e subjekteve, befasia e mbylljeve të tyre, mesazhi i madh njerëzor që përcjellin, e bëjnë këtë libër të bashkëkombases sonë, tashmë prej afro dy dekadash në Nju Jork, dëshminë se tashmë përfaqëson një nga shkrimtaret tona më të veçanta e më interesante.

Ndoshta për herë të parë (e theksojmë: për herë të parë) në duart e lexuesve ka një libër që ruan vlera artistike shumë të arrira dhe ndërkohë i mëson ata si të sillen në mjediset e vendit të madh të amerikanëve, si të mos bëjnë gabime kur të emigrojnë, si t'u drejtohen avokatëve, firmave të punës, si të dinë të sillen në zyrat e punëdhenësve apo të mbushin dokumentat e qëndrimit, si të zbatojnë rregullat e bashkëjetesës apo të mos bjenë viktimë e mashtrimeve.

Është mirëfilli një libër artistik e megjithatë duket si një libër shërbimesh konsullore. Çdo shqiptar, i ri apo edhe me moshë të lartë, i cili kërkon të emigrojë e vendoset përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje edhe kur dëshiron të shkojë atje vetëm për turizëm, te libri "Ura mbi oqean" gjen të gjitha këshillat e nevojshme. Është një guidë. Mjaft e saktë dhe tërheqëse. Një udhërrëfyes të dhënash dhe rregullash që jo vetëm nuk të lodh për ta kuptuar, por që të tërheq e nuk të lë ta largosh nga dora.

Arti i vërtetë gjithnjë ka qënë kështu, i dobishëm dhe utilitar. Vetëm duke i shërbyer njeriut ai hyn në jetën e tij, gjen vend në shtëpinë e gjithsecilit. Albana Mëlyshi Lifschin ka dhënë me vëllimin e saj të ri me tregime një dëshmi se sa e mundur është që të mos bjesh në vulgaritetin e këshillimit të njerëzve, e pajisjes së tyre me informacion shërbimi social dhe njëkohësisht niveli artistik të mos cënohet.

Me librin "Ura mbi oqean" provohet se njohuritë e dobishme nuk e dëmtojnë artin, por e ngrejnë më lart atë. Dëshmohet se arti e ndihmon shumë informacionin. Me art nuk mund të përshkruhet vetëm një ndjenjë, por edhe një njohuri.

Tani që po e mbyllim këtë shkrim prezantimi për librin e nentë të bashkëkombases sonë dhe ritheksojmë të veçantën e tij, na duket edhe vetë si habi. Kemi merak mos po e teprojmë tek ngulim kembë se si mund të rrinë kaq afër dhe pa i prishur njëri-tjetrit asnjë identitet e vlerë, arti me dobinë e drejtpërdrejtë të shërbimit social për njerëzit. Si mund të rrinë kaq afër kënaqësia artistike me udhëzimin konsullor. Si ka mundësi të qëndrojnë bashkë tryeza e punës së një shkrimtareje me atë të një avokati apo punëdhënësi ("Si humba një intervistë pune" apo "Kur do të punosh më shumë se të tjerët"), të një dogane në aeroport apo të një spitali ku duhet të dish si ta dish si të bësh sigurimin shendetësor ("Kujdes mos prisni gishtin!"), të një polici rrugor që të ndal befas makinën ("Prapa hekurave") apo të vetë amerikanëve ("Një fejesë në Hallouin", "Një e shtunë e çuditshme në Nju Jork", "Vdekje amerikane"), pse jo edhe të shqiptarëve ("Nuse me mblesëri nga Shqipëria", "Erdhi gjyshja nga Tirana", "Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve").

Por këtë mëdyshje mos po e tepron me vlerësimin që bën, e fik shpejt një fakt tjetër: Albana Mëlyshi Lifschin është autore edhe e librit "Udhëtim në historinë amerikane", pa dyshim më i miri në llojin e vet, dy botime deri tani, si edhe i "Children of Kosova-Stories of Horror" ("Fëmijët e përgjakur"), libër që ka fituar të drejtën të jetë tekst jashtëshkollor për klasat nga e gjashta deri tek e dymbëdhjeta në shkollat e Nju Jorkut.

Mbase vetë titulli i librit, "Ura mbi oqean", këtë kumt ka: të jesh larg e po aq afër. Zonja Lifschin ndodhet në anën tjetër të globit, por drejt bashkëkombasve të saj shtrin dorën....që t'i prekë, t'i inkurajojë, t'u shprehë çfarë ka në shpirt dhe të zbulojë çfarë kanë ata në zemër...

Ylli Polovina
12 shkurt 2008 (Gazeta Republika)


(back to the top)

 
Albana's Home Page My Books Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare Kafe Shkodra e Nju Jorkut
Children of Kosova Fundjave ne Hillsajd Zëra Nga Larg POEZI
Udhëtim në Historinë Amerikane Journey Into American History
(impressions)
Takim me të papriturën Yesterday I Cut My Hair
Ura mbi oqean Magjia e një zëri Ka gjithmonë diku - Përshtypje Disa tregime nga autorja
Vjehërr amerikane Intervista Përkthime Yjet nuk janë të kuq
Photographs