Shën Valentini për mamanë


Gjëja më e çvidhosur për mua kur erdhëm në fillim në Amerikë ka qënë "Shën Valentini" i parë.
Atë mbrëmje im bir më kërkoi 100 dollarë se" reston e kishte vetë". I a dhashë e vështrova nga vajza. Edhe ajo po pispillosej në pasqyrë, gati p të për të dalë.
- Po ti moj, ku do vesh? Edhe ti je "Valentinë "sot?
- Jo nuk jam "Valentinë, por e kemi lënë të shkojmë në një restorant me shoqet , o Ba!
- Do me thënë edhe ti do para.
- E po si thua ti, mos shkoj? Vetëm një pesëdhjeçe dua.. ë të keqen.!
Më kërkonte 50-çen çupa sikur të qe 50 lekë më të Shqipërisë dikur e jo 50 dollarësh me të Amerikës që më binte bretku për t'i bërë..
Djali e vajza ikën e unë mbeta vetëm me time shoqe.
- Po ne ç'do të bëjmë o grua? Thashë se mos ndoshta donte edhe ajo të dilnim në ndonjë lokal jashtë për Shën Valentinin. Po gruaja ime është ëngjëll; gjithmonë mi lexon mendimet
- Eh, neve s'na duhen para "për të bërë dashuri", do rrijmë në shtëpi. Kam kaq punë këtu rrotull.. Të kujtohet ajo shprehja "Sa ditë e bukur sot për të la lëveret?
Doemos më kujtohej.. I a kisha treguar sime shoqe atë barcaletë që ditët e para të fejesës tek shkonim lart, nga kisha. Atëhere, në kohët tona, u kujtohet edhe juve besoj, po të të thoshte dikush "isha tek kisha, apo "do shkoj tek kisha" nënkuptohej se kishte qënë në takim. Dmth kishte bërë apo do vente për të bërë dashuri'. Mendo kur të thoshin në mëngjez herët në punë: Ore, më duket se të pashë mbrëmë andej nga.. kisha..
- Vërtet? Pse edhe ti atje ishe?
Në fakt askush s'shkonte tek kisha e Shën Prokopit për te bërë dashuri. Kisha kishte mbetur si godinë e harruar, pa asnje funksion kishërie për njerëzit, por as edhe me ndonjë funksion strehe dashnorësh. Qe thjesht si pikë referimi. Atë kohë kur ne jetonim një jetë pa kisha e xhami, kisha e Shën Prokopit përkthehej si kodra e liqenit ku shkonin rinia. Dhe doemos atëhere s'kishim Shën Valentin e s'na duhej as Valentini as Valentina. Mund te ishte Drita , Meremja, Zana, Valbona të gjitha rrezatonin dashuri tek ngjiteshin lart nga kodrat dhe kjo ndodhte çdo dite të bukur me diell a me hënë, behar a dimër se dashuria e ka ngrohtësinë me vete.
Mirëpo këtu në këtë vend ku punojmë aq sa s'kemi kohë të marrim frymë, ekziston një ditë në pik të shkurtit si për të na thënë ej, çlodhuni o njerëz sot e po mundët kujtohuni edhe për një çikë dashuri.
Kështu fëmijët e mi dolën e ime shoqe, meqë "shyqyr që kishte pak kohë, mblodhi gjithë "lëveret" të lara e të palara e i futi në thesin e lavanderisë dhe zbriti poshtë në bodrumin e pallatit ku qenë instaluar ca lavatriçe..
Atë kohë ra telefoni . Ishte Gaqua, komshiu ynë. Jetonte vetëm me nënën në një apartament dy kate më lart nga ne. Qe martuar e divorcuar e s'kishte gjë në terezi për tu martuar së dyti. Fliste nga celulari. Më pyeti se ç'po bënim.
- Hiç, i thashë, po rrijmë kot. Fëmijët dolën për Shën Valentinin.
- Epo, po ndaloj një çikë aty tek ju, tha ai. E mora me mend që do qe duke u kthyer nga puna atë kohë.
- Epo mirë thashë me vete , ja tek po bëjmë edhe një dorë domino.
Gaqo hyri duke nxjerr nga një çantë e madhe plastike një buqetë me trëndafila. Unë hapa sytë. Po kjo?
- Është për Shën Valentinin, tha.
"Gaqoja më së fundi e paska mbërthyer një çupë", thashë me vete
- Hë..hajër..
- Jo, mo, jo. I solla për tët shoqe. Ku e ke Dritën?
S'po merrja vesh. Lule nga Gaqua për gruan time në Shën Valentin?
Gaqua duket e lexoi habin time e u nxitua të më tregojë se qe shtrenguar ta blente atë buqetë me trëndafila tek dyqani pranë punës, se të gjithë kolegët amerikanë ashtu po bënin e ky s'deshte të dallohej si dhija mes dhënve. Tamam, tamam qe pikërisht kolegu i zyrës që bashkë me të tijën kishte blerë edhe një extra buqetë për Gaqon. Gaqua e kishte falenderuar buzë a gaz duke i thënë se edhe ai e kishte atë buqetë për të ëmën. Por kur qenë ndarë, rrugës për në shtëpi nuk ishte i sigurtë ç'të bënte me të. Grua jo, të dashur jo e jo. Kujt t'ja jepte? Nënës 75 vjeçe? T’i kthente trëndafilat? Do ta çudiste luleshitësen. Kështu që mori rrugën për shtëpi me tufën e luleve në duar.
- Pata hall se do habis plakën, o vlla. Do më thosh" Hajt lipsu, s'je kujtuar të më sillje lule kur ke qënë në Shqipëri e po më sjell këtu.. Edhe për ç'farë pa? Për Shën Valentinin.. Të kanë rrjedhur mor bir…
- Po mirë o Gaqo, e marrë vesh, po tani do të çuditësh time shoqe?
Gaqoja hapi krahët si fajtor. Qe vërtet nje buqetë shumë e bukur me trëndafila të freskët , të kuq.
Unë pashë reth e rrotull. Mbi tavolinën e mesit Drita mbante një vazo me lule artificiale. I hoqa ato e në vend të tyre futa në vazo trëndafilat e Shën Valentinit që Gaqua , komshiu ynë i mire, ia bënte peshqesh aksidentalisht gruas sime.
Trëndafilat bën efekt të çudiçëm tek ime shoqe . Ajo pandehu se i kisha porositur unë si surprizë për të.
- Uaa! Ti je i mrekullushem. Ty s'të ka kush!. Thiri ajo sa i pa. e më zuri për qafe e me puthi në sy të Gaqos!
Jo vetëm kaq, por u kthye me krenari nga ai e tha: Hë mo, thuaj, gjen një tjetër burrë më të mirë se ky i imi në lagjen e shqiptarëve këtu rrotull? Dhe i ngriti trëndafilat nga vazoja, e i tha Gaqos të na bënte nje fotografi që ta kishim kujtim për Shën Valentinin.
Të nesërmen në darkë, Gaqua më bën një telefon e më thotë: Ore, e di ç'më ndodhi mbrëmë me mamanë, mua? Pasi më shtroi darkën më tha: Po edhe ti o bir, si s'u kjutove t'i sillje ca lule sat ëme sot, si gjithë bota. Shikoja njerëzit nga dritarja me lule nëpër duar Një tufë lule do na kishte zbukuruar shtëpinë sot . Ja edhe kjo gjitonja jonë, mosha ime, e mbytën mbesat me lule!
Mua më mbeti luga në gojë...

© Albana Melyshi Lifschin/2007
(Nga Ura mbi Oqean)