|
A vjen përkthyes për
mua?
Nuk e di
po në lagjen ku banoj unë shqiparët “e
moçëm” rrijnë gjithnjë bashkë, flasin
vetëm shqip e mblidhen darkave tek një kafe ku e bëjnë tym
dynjaja. Nuk di si e ka regulluar pronari i dyqanit pirjen e duhanit
aty kur në çdo lokal duhani është i ndaluar nga
ligji i Nju Jorkut. Ndoshta jep diku bakshish nën dorë, a ku
di unë, por aty është shtëpi me “oxhak’ e
ai po bën para. I zoti i dyqanit ka vënë edhe një kompjuter
në një dhomë të vogël pranë, aty bashkë me
dy makinat e lojrave. Nga kompjuteri të interesuarit marrin lajmet
e freskëta nga Shqipëria nëpërmjet internetit, e
lëre seç vete. Vetëm politikë e duhan ka në atë lokal.
Gazetën e komunitetit e sjell një zotëri me kapele çdo
të premte. Lajmet nga atdheu zgjojnë debatet e sherret e tifozëve
të politikës.
Atë javë ishte kthyer Zoti Lec nga Tirana, pas dy muaj pushimesh.
Me vete kishte sjellë edhe të vëllain, Zefin, që s’e
kishte parë për dyzet vjet. Zefin atë mbrëmje s’e
lanë të dilte nga kafeja. Zefi nga Lezha nuk kishte qenë ndonjë politikan
i madh, por ishte dëshmitar i freskët i jetës politike
në Shqipëri. Ndërsa Leci e la Zefin me kureshtarët,
vetë u tërhoq në një qosh me shoqërinë e
tij të vjetër. Marku qe habitur se si ai e kishte sjellë të vëllanë,
Zefin, në Amerikë. Nipërit e tij plasën të vinin
për të parë Amerikën, por ai nuk dinte se si tua
bënte dokumentat.
- Po si munde të merresh vesh me ato të ambasadës anglisht more
burrë? E pyeti Marku Lecin. Kishin qenë shokë arratie që dyzet
vjet të shkuara. Desh kishin lënë kockat në kufi. U kishin
fëshkëllyer plumbat tek veshët. Në fillim kishin dashur
të qëndronin në Jugosllavi, por pastaj i këshilluan të shkonin
në Amerikë, sa më larg shtetit komunist shqiptar, e kështu
bënë. Në Amerikë ato kohë qe kollaj për punë.
Me punë të vogla, pak këtu e pak atje jo vetëm që u
mëkëmbën por dalë e ngadalë blenë shtëpi
e pastaj u bënë edhe pronarë “pallatesh”. Mësuan
vetë të ndërtojnë e të riparojnë. Kursenin shumë.
Rrinin me njëri tjetrin, ndihmonin njëri tjetrin. Në shkolla
nuk shkuan se atë pak anglishte që u duhesh e mësuan copa-copa
ja ashtu me të dëgjuar, e çdo gjë shkonte për bukuri
ato kohë. Vetëm kur u hap Shqipëria lindi një farë nervozizmi
që shoqëronte gëzimin e madh. Ata të tërë ishin
milionerë në sytë e familjarëve e kushërinjve që kishin
lënë atje. Vërshuan në Shqipëri nga malli për
njerëzit e për vendin. I prisnin me mall e kureshtje. Gratë e
kushërinjve amerikanë të veshura me pardesy lëkure të zeza
të gjata deri në fund të këmbëve me tegela tek supet
e pinin kafenë tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës e tek
Hotel Dajti. Historitë e tyre që vetëm me një rrogë mbahej
e tërë familja i çudisnin kushërinjtë e arave. Pale
kur vinin pronarët e e “pallateve” me mijra dollarë me
vete, milionerët e mëdhenj, që mund të blenin pa frikë hotele
e godina të tëra.
Leci kishte në Bronx një shtëpi me gjashtë apartamente
që i kishte dhënë me qera. Familja i kishte vuajtur në fshatrat
e Lezhës që kur ai qe arratisur. Donte të vente ta shihte, t’i
shpërblente për gjithë çkishin hequr për shkak te
tij. I kishin rekomanduar që me të mbrritur në Tiranë të shoqërohej
me një mjek, kështu që edhe po të sëmurej Leci në Shqipëri
e kishte doktorin me vete. Doktori i kishte dalë vërtetë djalë xhevair,
sepse kishte marrë lejen e zakonshme vetëm për të shoqëruar
Z. Lec që vinte nga Amerika. Hera herës ai fliste anglisht e Leci
s’e kuptonte pse doktor Arbeni kishte qejf të fliste anglisht.
- Unë kam dëshirë me fol shqip në vendin tim, i tha Leci,
në një moment, duke e lënë disi të habitur Arbenin.
Arbeni e mori si mall e si patriotizëm atë kërkesë të emigrantit
që s’e kishte parë vendin e tij për dyzet vjet rrjesht…As
që i shkonte mendja tek sikleti që i krijohej Lecit kur e dëgjonte
doktorin të bisedonte me të anglisht.
U ndanë për atë kohë që Leci ndenji tek familja e
tij në fshat. Leci kishte menduar se s’do t’i duhej më doktori
deri atë ditë që i vëllai i kërkoi ta merrte me vete
në Amerikë.
–
Po ç’farë din të bash o vëlla? A din me pastru?
Vëllai kishte qeshur. Ç’farë pastrimesh po thu? Ato
janë punë grash!
- Andej nga ne, pastrimet janë edhe punë burrash. Edhe është punë e
mirë se e ke me unione.
I vëllai kishte heshtur i pakënaqur pa marrë vesh shumë se çi
thosh i vëllai nga Amerika.
- Po pse o vëlla, për të pastru do të vi unë në Amerikë?
Tani i erdhi radha Lecit të heshte. I vëllai kishte mjelë lopët
e kooperativës deri dje në Shqipëri e s’po i pëlqente
pastrimi në Amerikë.
Të dy vëllezërit nuk e diskutuan më punën e punëve.
Le të vinte Zefi një herë në Nju Jork pastaj shihnin e
bënin. Po si i bëhej se fillimisht duhej ta merrte me vete të vëllain
në ambasadë. E pikërisht këtu, Lecit iu kujtua Arbeni,
doktori, që fliste anglisht. Leci s’ia thoshte fare kur vinte fjala
për të biseduar me ata që punonin në zyra. S’ua kuptonte
anglishten fare.
I bëri telefon doktorit.
- Ku je doktor? A po e gëzon lejen?
Doktori i qe përgjigjur se leja kishte mbaruar e tani ishte kthyer në spital.
Mos kishte nevojë për ndonjë vizitë mjeksore Leci?
- Jo, bre burrë, jo. Po më erdhi dita me u kthy në Amerikë e
po du me marr tim vëlla me vete. Ti e dijshe anglishten ma mirë se
unë. A vjen me m’përkthy në ambasadë?
Lecit iu bë se doktori kishte heshtur . Mos qe mërzitur doktori me
Lecin?
- Do të paguaj, Z Arben. Do te paguaj, qe pasha Zotin !
Doktori kishte qeshur me të madhe nga ana tjetër e telefonit.
Atë të qeshur Leci e kishte kuptuar vetëm në aeroplan kur
e kishte zënë në gojë këtë episod me Zefin.
- Po ç’mos me qesh mor vëlla. Ti je amerikan, vjen prej Amerike
pas dyzet vjetësh e kërkon të të përkthejë në anglisht
një njeri që ka qenë gjithë jetën e vet në Shqipni?
- Kur ke ndërmend me shku andej? Pyeti Leci Markun që kishte një copë herë që priste
përgjigje prej tij.
- Ndoshta nisem për nja një muaj.
Leci ktheu edhe një teke dhe i dha Markut emrin e doktorit…
© Albana Melyshi Lifschin/Tetor, 2007
(Nga Ura mbi Oqean)
|
|