Home      My Books      Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare      Kafe Shkodra e Nju Jorkut      Children of Kosova      Fundjave ne Hillsajd      Zëra Nga Larg      POEZI      Udhëtim në Historinë Amerikane      Journey Into American History (impressions)      Takim me të papriturën      Yesterday I Cut My Hair      Ura mbi oqean      Magjia e një zëri      Ka gjithmonë diku - Përshtypje      Disa tregime nga autorja      Vjehërr amerikane      Intervista      Përkthime      Yjet nuk janë të kuq      Photographs      BOTA ME NJE SY  

 

 

Official Website of author

ALBANA MELYSHI LIFSCHIN

Takim me te paprituren

 

 

(Duke lexuar vellimin me tregime "Takim me te paprituren" nga Albana M. Lifschin)

Vëllimi i Albana Mëlyshi Lifschinit "Takim me të papriturën" të befason duke të takuar me një vepër letrare plot aromë jete dhe me parfumin e magjishëm të një talenti që i qëndron besnik thelbit të vet, që nuk tundohet nga modat, por guxon të jetë vetvetja.
Janë tregime realiste që dëshmojnë për realitetin që ka ende ky drejtim letrar, janë tregime ku personazhet kanë jetën e tyre të veçantë, që merr dritë nga shpirti i shkrimtares, po është edhe e pavarur.
Mund t'i quash aktuale në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës se kanë në qendër të vet temën e emigracionit, një temë sa të gjallë aq shqetësuese.
Në tregimet e Albanës ndërthuren dy botë, bota amerikane dhe bota shqiptare. Amerika e shkrimtares është një Amerikë reale, jo "ferri imperialist" i mitit të diktaturës, po as parajsa e ëndërrave tona për liri dhe demokraci, një botë më vete që ka madhështinë e vet, por edhe rregullat dhe ligjet e veta të hekurta. Shpesh këto tregime kanë një komponent autobiografik që ua shton forcën emocionale, pa ua zbehur objektivitetin dhe vitalitetin artistik.

Autorja ka ditur që tipave të marra nga jeta t'u japë një jetë të dytë, "më e vërtetë se e vërteta" dhe të krijojnë një mikrogaleri tipash simpatikë dhe antipatikë: Brikenën që u josh nga ëndrra amerikane, po nuk vendos dot që të flijojë për hir të fitimit rininë dhe dashurinë, "vjehrrën amerikane" këtë grua që mëshiron gruan amerikane me cilësitë e saj dhe me ndonjë tipar të pakuptueshëm për mentalitetin shqiptar, Ronaldin, hebreun amerikan, që pretendon për botë të gjerë shpirtërore, po në fakt nuk ngrihet dot mbi mentalitetin e vet të ngushtë, profesorin e shkencave që shndërrohet në servil dhe spiun për të mbijetuar në botën e ashpër të parasë, Anën që ndonëse pranon ndonjë kompromis të vogël (si atë të paraqitet myslimane te myslimanët dhe katolike te katolikët, duke qenë bijë e një martese të përzier) po nuk arrin kurrsesi që për hir të parasë të mohojë njerëzoren, andaj i kundërvihet me guxim boses së vet; Lirinë, këtë grua thellësisht të emancipuar që din të dashurojë, po edhe të heqë dorë nga dashuria dhe shumë të tjerë.
Figura e "vjehrrës amerikane" spikat e çuditshme, por edhe tërheqëse. Kjo grua është energjike, praktike, optimiste, ka ndjenjën e humorit, zotëron një vetpërmbajtje dhe një ekuilibër që nganjëherë duket se e afron në caqet e jo-njerëzores, siç ndodh kur i vdes e motra. Po kjo grua me vetëkontroll të lartë është megjithatë aq njerëzore sa ndjen empati ndaj nuses shqiptare dhe për hir të gëzimit të saj përmban shqetësimin për djalin e vet dhe ia feston asaj ditëlindjen. Ky gjest njerëzor zbulon thelbin e karakterit të saj.
Figura e Ronaldit, përkundrazi, negative për nga thelbi egoist, është ndërtuar mbi kontrastit midis "maskës" dhe "fytyrës". Njeriu që ngjan në fillim aq i zgjuar, i kulturuar, i sjellshëm, e shfaq fytyrën e vet kur i cënohet interesi dhe për hir të fitimit është i gatshëm të shkelë ndjenjat e të tjerëve. Vlerësimin e kësaj figure e bën vetë protagonistja nëpërmjet metaforës "Ti s'i pëlqen lulet" (lule reale, por edhe ato të shpirtit).
Tregimet e Albanës janë të thjeshta, me dinamizëm veprimi dhe dialogjesh, po edhe befasuese jo për gjetjet e kërkuara, por për zbulimin e papritur të ndjenjave të personazheve. Në novelën e vetme të vëllimit përdoret ndërtimi polifonik, alternohet këndvështrimi i dy protagonistëve, që kanë secili përgjegjësinë e vet në konfliktin që i ndan. Fundi vjen sa befasues aq edhe i natyrshëm.
Në disa tregime përdoret me efikasitet veta e parë, në të tjerat veta e tretë.
Tepër tragjik dhe njëkohësisht i pushtuar nga një vetëpërmbajtje, që e bën për vete lexuesin, është tregimi "Shamia e zezë" ku komponentja autobiografike është objektivizuar. Paradoksi tragjik për një njeri të çiltër, të ndershëm e madje trim të cilit i mohohet diçka që s'i mohohet as kriminelit më të madh, një copë tokë për varr në atdhe, jepet prej autores me një thjeshtësi dhe një mungesë mllefi, që e rrit tragjizmin. Një personazh tepër tërheqës është Mari-Ana, për të cilën gjyshi është shndërruar në legjendë dhe rend larg përtej detit për t'i ëmbëlsuar çastet e fundit. Një ironi tragjike e përshkon dialogun imagjinar që mbyll tregimin: "Ç'dhuratë të solli Viti i Ri?" " "Gjyshin e vdekur"
Tregimet e vëllimit siç thamë janë në thelb realiste, po të një realizmi që ka përfituar edhe nga teknikat moderne si retrospektiva dhe polifonia, ndonëse autorja i përdorur me masë.
Arti i tyre qëndron paradoksalisht në mungesën e "artit" në çiltërsinë dhe komunikimin me lexuesin Në këto tregime s'ka gjetje të rafinuara stilistike, s'ka "errësi" nuk mjegullohen me qëllim personazhet. Megjithatë këtu ka jetë, ka poezi, ka mendime dhe ndjenja të fuqishme.

Klara Kodra
Kritike letrare, Doktore e shkencave


(back to the top)

 
Albana's Home Page Children of Kosova Kafe Shkodra e Nju Jorkut
(Tregime)
Poezite e Mia
Udhëtim në Historinë Amerikane
(Përshtypje)
Journey Into American History
(impressions)
Takimme të papriturën
(Tregime dhe novela)
Fundjave ne Hillsajd
(Tregime dhe novela)
Yesterday I Cut My Hair
(Poetry)
Ura mbi oqean
(Tregime)
Disatregime nga autorja Magjia e një zëri
(Tregime dhe novela)
Ka gjithmonë diku
(Përshtypje)
Vjehërr amerikane
(Novelë)
Intervista Përkthime
Yjet nuk janë të kuq
Saga e Melyshajoe
Photographs Perëndimi Mistik
Publicistikë Letrare
BOTA ME NJE SY