Prof. Dr. Klara Kodra

Poezi me dhuntinë e vetvetshmërisë

Mbi poezine e Albana M. Lifschin në librin"Ka gjithmone diku"

 

 

Të gjithë fëmijët dhe të gjitha lulet kur lindin në dukje ngjajnë me njëri -tjetrin apo me njera tjetrën dhe megjithatë secili prej tyre është i papërsëritshëm . Kështu ngjet edhe me vëllimet e poezive. Duhet t'i shikosh nga afër për të gjetur veçantinë e tyre dhe kjo është detyra e kritikëve. Çdo vëllim me poezi synon drejt veçansisë për të mos përmendur origjinalitetin që arrihet rrallë. Natyrisht kjo lidhet me shkallën e talentit por edhe me guximin. Duhet guxim për të qenë vetvetja, për të mos imituar verbërisht as mjeshtrit e së kaluareës, as avangardët e të sotmes, për të mos iu përshtatur shijes së publikut, por për ta udhëhequr atë. Vëllimi i Albanës e ka këtë guxim të çiltërsisë. Poezia e Albanës po të përfshijmë edhe poezitë e mëparshme e ka këtë veçori,që nuk lindi nga ëndërrimet naive të adoleshencës, të asaj moshe që kthen gjithçka në poezi, lindi relativisht vonë nga një personalitet i pjekur që eci në fillim në rrugën e prozës. Në këtë vëlllim të tretë mendoj se autorja e ka krijuar profilin e saj të veçantë, që shfaqej qysh në vëllimin e dytë.Poezia e Albanës e lindur në një klimë lirie nuk e ka atë patetikë retorike të trashëguar prej poezisë së Rilindjes dhe më vonë të Realizmit socialist, por nuk e ka as atë erresi të përhapur tek poetët bashkëkohor që pretendon për thellësi e modernitet dhe që s'është veçse një modë jo e prerë për çdo individualitet krijues, një prirje që jo rallë fsheh zbrazëtirë. Poezia e Albanës nuk është as një poezi fantazie shpërhtyese apo figuracioni befasues, një lloj poezie që mund të arrijë kulme, por që paraqet rreziqe për poetët që s’e kanë ndjenjën e masës. Por mjaft folëm për çka s'është poezia e Albanës.Le të përpiqemi ta përkufizojmë se si është. Kjo poezi ka dhuntinë e vetvetshmërisë, kusht i çdo poezie të vërtetë që duhet të ketë zërin e vet. Zëri i mëllenjës s'është si i bilbilit,por mund të ketë bukurinë e vet, po qe se mbetet zë mëllenje e s’pretendon të jetë zë bilbili. Albana e ka tani këtë zë të vetin. Poezia e saj është e thjeshtë spontane dhe njëkohësisht zotëron konçizitetin dhe koncentrimin, pa rënë në fragmentarizëm,as në thatësi duke ruajtur një ekuilibër të brendshëmn. Jo rallë kjo poezi ngjan si epigrafike. Poezia e Albanës është një poezi që e ka mesazhin e vet, por që di të integrohet me formën. S’ka gje më të gabuar që të shikosh mesazhin dhe formën si dy bashkëudhëtarë që përpiqen të vrasin njëri tjetrin, ata janë përkundrazi dy vëllezër siamezë që s’i ndan dot njëri nga tjetri pa rrezikuar jetën e secilit.Poezia e Albanës ka se çfarë të thotë për temat e mëdha ekzistenciale të dashurisë në kuptimin e saj të gjërë të jetës dhe vdekjes së rinise që ikën dhe për një temë nevralgjike si ato të idenditetetit që ajo e njohu tepër qartë e ndarë midis dy vendeve, atdheut të origjinës dhe vendit ku jeton e punon. Shumë domethënëse për këtë është vjersha e shkurtër "Betimi" ku në shpirtin e saj shkrihet flamuri me 50 yje i atdheut të ri dhe flamuri kuq e zi i tokës mëmë. Folëm për karakterin epigrafik të poezisë së Albanes,për koncizitetin lartë që ajo arrin aq sa ndeshim edhe vjersha që përbëhen prej vetëm një distiku. Ka poezi që mbështeten vetëm në një figurë të goditur si vjersha "Shkalla e poezisë" që hap vellimin. Disa vjersha të Albanës mbështeten si një gjetje,një detaj që rimerret me një kreshendo graduale për të arritur në kulmin shpërthyes siç ndodh në vjershat “Dje preva floket" dhe "Dje sot dhe nesër"

Dje duke menduar për ty,
humba autobuzin,

sot duke mendur për ty,
humba trenin

nesër,nëse ende
do të jem duke menduar per ty

do të humbisja jetën…


Jo pak vjersha e zbulojnë kuptimin në vargun e fundit shprehës dhe befasues. " Si mundet vallë të bëjë dashuri një trup i vdekur?" (poezia:”E desha shpirtin tim të lirë) ,"Këmbëkryq nisi rrugën ky shekull i ri"(tek "Ngjyrat e këtij dimri). Ose "Ti shpirtin tim e kishe shitur, yti qe kthyer në plumb të zi"(Medaljoni) ;”Toksorë tek planeti i vjetër do të kthehemi(Planeti) apo " Për shpirtin pudër gjetur's kish (Gjer në vdekje)
Poezia e Albanës është një poezi e çlirët, më tepër se një poezi me varg të lirë: Vargu i saj s’është tradicional,por ka një ritëm të vetin, që i përshtatet mesazhit. Rima shfaqet aty këtu për të nënvizuar fjalët çelës. Një poezi interesante është poezia " Prifti i shpriftëruar", një poezi dramë, drama e një prifti të ri të ndarë midis dashurisë për perëndinë dhe asaj për një vajzë, që zgjodhi dashurinë toksore dhe u quajt mëkatar .Poezia ngjan mbivalente si kënga e Dantes për Paolon e Franceskën. Autorja duket se s'mban asnjë anë, s'na thotë nëse zgjedhjen e priftit mund ta quajmë mekatë apo sfidë të guximshme ndaj rregullave të ngurta. Ajo vetëm e pasqyron këtë dramë me dhimbje e mbase simpati për protagonistët e saj. Nuk del e qartë nëse vargjet"nëmur nga Ati do të qe përgjithmonë/nga njerëzia përgjithmonë i harruar shpreh dënimin e kishës,apo edhe atë të autores . Vjersha mbyllet me dy vargje që pasqyrojnë mungesën në kishë të të dashuruarve, shkëputjen e tyre prej saj, vargje mjaft shprehëse.
Një tjetër poezi interesante për mesazhin e tolerancës që natyrshëm shkrihet me karakterin autobiografik është “Inter-fe”, ku dashuria njerëzore është si një urë vllazërimi midis feve të ndryshme për të adhuruar sëbashku të njëjtin Zot. Edhe dashurisë së nënës Albana i këndon në mënyrën e vet. Në vjershën 'Djali" ku nëpërmjet vargjeve shprehëse dhe aspak retorike a frymë didaktike i përçohet birit një mesazh qëndrushmërie. Patosi mbizotërues që i përshkon vjershat është patosi lirik dhe ai dramatik. Ka edhe vjersha që përshkohen nga një ironi e lehtë. Poezia e Albanës dallohet nga vetëpërmbajtja që nuk i jep ftohtësi,por dinjitet. Në poezinë e Albanës mendimi dhe ndjenja integrohen me njeri tjetrin Lirizmi ka pamjen e një burimi të qartë që shpërthen nga thellësitë.
(Nga diskutimi i Prof.Dr Klara Kodra ne promovimin e librit / 28 maj 2010.


Ali Podrimja

Loja mes zjarrit e fjalëve

Poezinë e përcjell vetëm kur lëshon shtat mes zjarrit e fjalëve. Kemi të bëjmë me diçka që i afrohet filigranizmit deri në përsosje të tekstit kur hedh nga trupi fjalët e tepërta ose ndonjë figurë që mjegullon horizontin, pra kur krijuesi është i përqëndruar të artikulimi ekuivok. Të tmerrshme janë bredhjet e skribomanëve që humbin durimin dhe nuk dijnë ta gjejnë rrugën për tek e bukura.
Poetesha e njohur suedeze Linda Aberg thotë: “Është vështirë të shkruash shkurt”. Poezia është diçka që lëviz dhe mban gjallë kujtesën. Krijuesi duhet të ketë kujdes në konceptin e asaj që e hedh si ide, mesazh, ndoshta dhe me evoluimin e vetë tekstit poetik.
Leximi i tekstit varet kryesisht nga qasja e recipientit: ç’dëshiron të potencojë nga mesazhet. Miku im Zija Çela mbështet se modernitetin e poezisë e mbajnë gjallë: eliptizmi dhe revolta ndaj shkarjeve shoqërore, njerëzore, nuk prajnë pra kërkimet që duhen parë ato si përpjekje për poezi të pastër dhe me vlera universale.
Përmbledhja e poezive “Ka gjithmonë diku” e Albana M. Lifschin ngërthen në vete sensibilitet të çuditshëm, të rrallë do të thoja. Kisha përpiluar edhe më parë ndonjë libër të krijueseve shqiptare, si dhe Antologjinë e poeteve “Taket e larta”, viti 2000, që më kishin mahnitur me artikulimin e mesazhet e tyre. Albana ka diçka që të nxit ta ndjekësh udhëtimin e saj imagjinativ. Tek e lexon poezinë e saj bindesh se kjo zonjë e letrave shqipe vë në funksjon njerëzoren, i rri anash vorbullës së asociacioneve trishtuese, ndërsa recipienti shpalos gjuhën e figurave, na shëtit deri të enigma “në përkryerjen ritmike e kuptimore të tekstit poetik”, siç do të thoshte Ezra Pound.
Tek i bashkohemi udhëtimit të saj, në të vërtetë hulumtojmë vlerat kulminante në librin e përmendur me titull domëthënës “Ka gjithmone diku", që nuk janë të pakta. Disi na kujtohet John Ashbery dhe vargu i tij “Thjesht të jetuarit nuk mjafton”. Trokasim në botën e sekreteve, të intensitetit të ndjenjës së dashurisë, megjithëse” ndjeshmëria, siç shkruan Elioti ndryshon nga një brez në tjetrin, duam apo s’duam ne…”
Temat e mëdha si vdekja e identiteti i rrezikuar pranohen shpesh si poezi dokument. I këtij mendimi është edhe kritiku e poeti polak Leszek Szaruga.Tek kaloja kufirin vdekjeprurës mes Bllacës e Dardanisë nën ushtimën e plumbave të padukshëm kisha vërejtur imazhin e antikitetit: një nënë e re e tmerruar vraponte drejt turmës së pafundmë 1999, tërhiqte një fëmijë përdore ndërsa tjetrit ia afronte gjirin, por fëmija fatkeqësisht ishte i vdekur. Kuja e saj kishte ngritur në këmbë një botë të tërë të ekzodit. Më vonë e shkrova poezinë që ishte: dëshmi e hidhur e tragjedisë së ndodhur në fund të shekullit XX.
Albana M. Lifschin është ndër të paktat krijuese shqiptare që poezinë nuk e ngarkon me fjalë e me sekuenca trishtimi, u rri anash tërmeteve shpirtërore dhe mbështet se “gjërat duhen thënë bukur e me dinjitet, qoftë edhe përmes një skice apo poezie erotike se jeta njerëzore është kompleks ndjenjash e fatesh; aty asgjë nuk është tabu as privilegj për njerën anë të duetit.” Mund të elaborohen në detaje edhe gjërat më intime të qenies njerëzore, se arti kërkon të pamundshmen.
Madhështinë si krijuese dhe njeri, Albana arriti ta thotë përmes shumë poezive të saj vërtetë antologjike. Me këtë rast dua të kujtojmë vargjet brilante te “Shkalla e poezisë”, por kjo nuk është e vetmja në këtë përmbledhje. Po ashtu titulli i librit nxit të mendosh se ç’është ajo që gjithmonë gjendet diku. Mbetet kjo enigmë edhe për recipijentin.
Në pyetje është kujtesa, se drama njerëzore u reprizua shpesh në Gadishullin Ilirik dhe atë e paguam shtrenjtë... Poeteshën e ndjek kjo frikë qoftë përmes njerëzve të saj, që i njeh apo të atyre që u bënë dhe atdheu. Nuk pranon të ngris dorë nga himnizimi i dashurisë, se dashuria është diçka hyjnore. Është e bindur se vetëm nuri i saj mund ta shpëtoj njeriun nga apokalipsi. Përmbledhja e poezive të Albanës shënon triumfin e shpirtit mbi zymtësinë që kishte pushtuar hapësirën e gjallimit tonë.

Ulpianë, 2010
botuar ne gazeten ILIRIA, dt. 2 prill/2010
Albana's Home Page Children of Kosova Kafe Shkodra e Nju Jorkut
(Tregime)
Poezite e Mia
Udhëtim në Historinë Amerikane
(Përshtypje)
Journey Into American History
(impressions)
Takim me të papriturën
(Tregime dhe novela)
Fundjave ne Hillsajd
(Tregime dhe novela)
Yesterday I Cut My Hair
(Poetry)
Ura mbi oqean
(Tregime)
Disa tregime nga autorja Magjia e një zëri
(Tregime dhe novela)
Ka gjithmonë diku
(Përshtypje)
Vjehërr amerikane
(Novelë)
Intervista Përkthime
Yjet nuk janë të kuq
Saga e Melyshajoe
Photographs