Mami është e keqe...

Sa herë që vajza jonë 5 vjeçe, Holta, hyn në kuzhinë për të luajtur, ime shoqe vrapon pas saj.
Thonë që e keqja të vjen nga armiqtë, nga miqtë, nga gratë, nga qeveria dhe nga …fëmija. Këtë të fundit e kam nga eksperienca jonë në Amerikë.


- Lëri ato që po shkruan, se kjo që do të të them ka më shumë rëndësi se ato budallallëqe.
Isha krejt i kredhur në përfundimin e romanit tim të fundit kur dëgjova zërin e gruas sime që erdhi rrëmbyshëm bashkë me hapjen e vrullshme të derës. Që ajo s’e ka marrë asnjëherë seriozisht krijimtarinë time, ka vite që e di mirë. E marrosur pas saj ime shoqe qe vetëm në fejesë, kur mi bënte lëmsh shënimet duke kërkuar ndonjë poezi të re shkruar posaçërisht për të. Por që kurse jemi martuar, librave të mi u lexon faqet e para e pastaj qahet që s’ka kohë.
Ndaj edhe unë tek e dëgjova qesëndisjen e saj s’më lëvizi as qerpiku e as e ktheva kokën fare ta shoh. Por ajo më doli forcërisht përpara me një portret krej të shpërfytyruar
– Ç’ farë ke ?
- E di që ndonjë ditë ky fëmijë do më fusi në burg mua?
E kishte fjalën për vajzën, Holtën tonë, që nuk ka mbushur as gjashtë vjeç ende.
- Jeni zënë përsëri? Pyeta unë sikur të qe fjala për të kunatën.
Pa më lënë të them gjysëm fjalë më shumë, ajo shpështolli ç’kish ndodhur...
Vajzës sonë i pëlqen të dredhë e përdhredhë burmat e sobës. Ka dëshirë të shohë se si del e rritet flaka mbi sobë, si gjuhët e saj luajnë më njëra tjetrën. I mbërthen sytë atje e s’lëviz nga vendi. Ime shoqe dikur qe mburrur duke thënë se këtë zakon vajza e ka marrë nga ajo, se kur qe e vogël edhe asaj i pëlqente të kqyrte gjuhëzat e flakës në sobë.
“Fantazoja gjëra të bukura me to”, më tregonte njëherë e një kohë. Mua më qe kujtuar “Essential” kur studioja për të dhënë anglishten në Tiranë. Kish një poezi për prushin e vatrës e flakët në oxhak në atë libër. Po tani jemi në Amerikë e është fatkeqësi e madhe nëse ime bijë ka trashëguar fantazinë e së ëmës. Të luash me zjarrin në sobat me gaz të Amerikës është të ndjellësh vdekjen. Po nga ta di Holta jonë këtë? Dhe ime shoqe, me mënyrën e saj është përpjekur t’ja mësojë nja dy herë. Një herë i bërtiti aq fort sa e dëgjoi edhe komshia matanë:
- Mos! Mos e prek më sobën, se të ngordha! Hajt, marrsh tek lodrat në dhomën tënde!
Mirëpo ajo “marsh” duket bëri efekt të kundërt se pas një gjysëm ore ime shoqe e gjeti vajzën përsëri në kuzhinë, duke luajtur me sobën. I hipi gjaku në kokë, dhe i ra me pëllëmbë!Duhet t’i ketë rënë fort se vajza u mek së qari. E mora në krah, i fshiva lotët e u mora një copë herë me të.
- Mami është e keqe, më tha.
- Jo, mami është e mirë, iu përgjigja unë kryengritëses së vogël.-Mami na ka xhan.
- Jo, nguli këmbë vajza, mami është e keqe!
Eh, ç‘më gjeti! Po mirë që s’ishte ime shoqe aty ta dëgjonte se me siguri do më bënte fajtor mua.
Gruaja po më vështronte me sy të tmerruar.
- E ke rrahur vajzën?
- E gjeta përsëri duke luajtur me sobën. I hoqa një shpullë by…I fryu sytë, naaa… i bëri, por nuk qau. Në të kundërt, e di çmë tha? “ Mos më qëllo mua, se do të thërras 911! “ Më ka prishur gjakun.
E kuptova tronditjen e gruas. Nuk e fsheh që u trondita edhe unë. Shumë.
- Kush ia ka mësuar asaj 911?
- Edukatorja në kopësht. Edukatorja u paska dhënë porosi fëmijëve që nëse prindërit i godasin, ata duhet shkojnë tek telefoni menjëherë e tu bien numrave 911.
U shqetësova seriozisht nga rrëfimi i sime shoqeje. E di se çdo të thotë të të raportojë fëmija në Amerikë?
- Po ti, ç’farë i the? E pyeta me ankth
- I fola me të butë, ç’të bëja? I spjegova qetësisht se çmund të ndodhte, po qe se ajo e raportonte mamin e vet tek telefoni. I thashë shprehimisht se “po qe se ajo do ta bënte këtë atëhere “do të ta marrin mamin e ti do të ngelesh pa mami”
“Më japin një mami tjetër, më të mirë. Mami që nuk më rreh”- ma ktheu ajo.
Burrë e grua vështronim njëri tjetrin pa ditur ç’të thoshim. Kishim harruar që vajza jonë e lindur në Amerikë po rritej si amerikane. E pse ta fsheh? Atë çast do uroja shumë që ajo edukatore të ishte nga Shqipëria…
Ime bijë, do kishte djegur veten e ne të gjthëve bashkë më shtëpinë. Në Amerikë, zjarret e vogla përlajnë shtëpi të mëdha për shkaqe nga më qesharaket. Mjaftojnë njëzet sekonda që zjarri të përfshijë tërë shtëpinë, falë qilimeve sintetike e mureve prej kartoni të mbushur me varakë e ”lesh”. I thashë gruas t’i marrim leje menaxhmentit që t’i vemë kuzhinës një derë, të cilën ta mbajmë gjithnjë të mbyllur kur gruaja nuk është duke gatuar në të.
Na u duk se shpëtuam nga “zjarri” ca kohë, deri atë mbrëmje që ime shoqe më tha, se e kishin thirrur në shkollë apo më mirë në kopështin e vajzës për një "takim të vogël". Në takim do të qe drejtoresha e institucionit si edhe një punonjëse sociale. Dukej qartë që gruas sime do i bëhej gjyq. Pala paditëse qe vajza jonë, Holta 6 vjeçare.
- Aman o grua, ruaj gjakftohtësinë. Mos u përpiq tu mbushësh mendjen se "fëmija është fëmijë e nuk di se çbën". Se mos të arrestojnë vërtet moj, thashë unë që një mëndje po më thoshte ta shoqëroja. Po isha i paftuar…
Kur ime shoqe u kthye në shtëpi, mu duk sikur ia kishin marrë shpirtin çika-çika me shiringë.
- Të mos kishte qënë përkthyesja që më pëshpëriste pa reshtur, “kujdes, vetëm prano fajin… kujdes, thuaj “po.”, unë nuk di çdo kisha bërë. Më bënë një leksion që ta mbaj mend tërë jetën. Dëgjova edhe një fjalë të re “corporal punishment” Më thanë se po e trajtova vajzën me “violencë”, edhe ajo kur të rritej do të sillet pikërisht ashtu me familjen e saj, me këdo e do të bëhej e rrezikshme për shoqërinë… Kupton ti? Më paralajmëruan që të mos abuzoj më me vajzën, ndryshe do të ma merrnin meqë unë “nuk jam nënë e denjë për të rritur vajzën time”. E kupton ti? Plasa tu thosha:’ Po është shpullë dashurie, more aman! Ç’janë këta “foster parents’ që më përmendni? Si do ta duan ata më shumë vajzën time, se sa unë që i kam bërë kokën?!
Kësaj i thonë të ta lënë fëmijën jetim me nënë gjallë!
Ja, për këto shkruaj ti, atë bëj! Kujtuam se lindëm fëmijë shqiptare në Amerikë!

© Albana Melyshi Lifschin/Dhjetor, 2007
(Nga përmbledhja me tregime Ura Mbi Oqean)