|
Rethi i Kolombit
Para se të punoja taksist me taksitë e verdha të Nju Jorkut,
unë kisha zënë një punë si portjer në një institucion,
në Broadway. S’kishte punë më të rehatshme. Rrija
ulur para një tavoline e kush hynte e dilte firmoste në një rregjistër
të madh, aty përpara meje. S’kishin nevojë për
ndihmën time. Gjashtë muaj e vrava kohën duke lexuar libra.
Drajzerin e kisha lexuar ne shqip, këtu e thava në anglisht,
po kështu Heminguejn, Witman e … deri tek shkrimtaret limonada
të Amerikës. Zgjedhje më e mirë për një përkthyes
të anglishtes- punë që e kisha bërë tërë jetën
në vendin tim, nuk kishte. Ndihesha si në biblotekë deri
atë pasdite shiu kur para derës së godinës ndaloi një taksi
e verdhë.
Prej andej doli një grua elegante që i zgjati taksistit një 20
dollarësh dhe taksia u zhduk në çast. Ishte menaxherja
e firmës së katit të pestë. Me atë buzëqeshjen
e saj tejet femërore më tregoi se nuk kishte qenë veçse
disa blloqe më tutje kur e kishte zënë shiu fare papritur
e “në këto raste taksia është zgjidhja më e
mirë".
”20 dollarë për disa blloqe më tutje?” Rroga ime qe
7dollarë e gjysëm në orë. Ndërsa ai taksisti,
pakistanez , libanez a kushdoqoftë merrte disa herë më shumë se
unë vetëm brenda tre -katër minutave. Mu duk vetja fare
i mjerë para tij. Paguaja për një dhomë të vetme
700 dollarë në muaj, pa përfshirë pagesën
e elektrikut dhe telefonin dhe ndihesha i kënaqur që me ato
që më tepronin
mbuloja shpenzimet e tjera Madje kisha filluar të gatuaja (që s’e
kisha bërë kurrë në jetën time) që të kurseja
diçka. Ndihesha mirë në varfërinë time pa
e ditur se isha i varfër. Ajo taksi e verdhë më prishi
qetësinë.
Mora informacion për taksitë e qytetit. Pastaj bleva një hartë të Nju
Jorkut dhe fillova ta studioj.
Që të ngisje një taksi të atillë duhej ndjekur një kurs
i veçantë, jepej një provim dhe pastaj merrej liçensa.
Një moment mu duk se po i hyja një aventure. A s’është e
gjithë jeta një aventurë? Erdhi puna që një llotari
më solli në Amerikë kur s’më kishte vajtur mendja kurrë.
Tani jam këtu. Sapo i mbusha të 60-tat dhe po e filloj jetën nga
fillimi. Kush e di se ku të përplas e ardhmja? Vetëm dy vjet më parë isha
drejtor dikasteri në Ministri. Shisja mend me rrogën që kisha,
të cilës i shtoheshin e dhe burimet e shërbimeve jashtë.
Në një shërbim të tillë në Gjermani kisha blerë makinën.
Qe një makinë që e njihte i gjithë qyteti. E tregonin me
gisht. Dhe tani po kërkoja punë si taksist. I mësova përmendësh
emrat e urave që lidhnin pjesët më të rëndësishme
të qytetit, rrugët e avenjutë e mëdha dhe ato të vogla.
I bëra të tëra këto në dy javë kurs. Kur instruktori
na pyeste ku binte kjo apo ajo rrugë, unë ngrija dorën. Kursantët
amerikanë çuditeshin kur u thoja që s’kisha bërë ende
dy vjet në këtë vend. Taksinë e mora me qera: 700 dollarë në javë.
Rroga javore, apo më mirë fitimi javor shkonte nga 1200-1400 dollarë.
Dmth çdo muaj bëja 5000 dollarë. Si portjer rroga mujore qe
e barabartë apo më pak se ajo javorja. Ndryshim i madh, apo jo.
Punoja natën e flija ditën. Natën bëhet paraja. I mësova
ku ishin e ku s’ishin baret, e u zija pritë. Pas mezit të natës,
nga baret dilnin çifte, burra, gra te reja apo edhe të vjetra. Një të gdhirë më doli
përpara një çift. Gruaja kishte një tualet të rënduar,
ai mbante një kapele meksikani. Më thanë t’i shpija në avenunë e
pare, pranë lumit. Aty burri doli jashtë taksisë , gruaja e re
qëndroi brenda. Burri u vërtit reth një dyqani që ishte mbyllur
me qepena hekuri e zuri t’i binte fort. Askush s’përgjigjej,
i ra rotull bllokut disa herë e u kthye duke sharë me vete. Më tha
që t’i ktheja aty ku i kisha marrë, nën urën e Bruklinit,
pranë një picerie italiane. Pata një ndjenjë që kisha
në taksi pasagjerë që merreshin me drogë. Në televizor
vazhdimisht jepen lajme për taksistët e natës që goditen
nga pasagjerë të dehur apo të droguar. Përfundojnë në spital
apo edhe humbasin jetën.
Nuk jam nga ata që dorëzohem kollaj, vërtet jam tek të gjashtëdhjetat,
por jam akoma i fortë. Pastaj e kush e ka të garantuar jetën?
Vdekja vjen si me shaka edhe në mes të ditës po ju mbush mendja,
apo jo. Përfytyroja sikur na rethonte policia. Si nëpër filma.
Pasagjerët e mi më urdhërojnë t’ja shkel taksisë me
100 mile në orë. Në rrëzë të veshit kam koburen.
A ja vlejnë tërë ato para që marr për… Çlirohem
nga këto imagjinata të frikëshme. Çifti, më dha një bakshish
të mirë.
Marr kthesën në rethinat e bareve në Kreshent. Aty janë dy
të tillë përballë njeri tjetrit. S’e kanë frikë konkurencën,
janë plot çdo mbrëmje. Tek dyert sheh klientë që pijnë cigare,
shkëmbejnë ndonje llaf me njeri tjetrin e pastaj hyjnë sërish
brenda. Unë shikoj orën. Po shkon dy e mëngjezit. Tani është koha
kur nxirren gjithë paratë e ditës, e kur është fundjave
ato të gjithë javës. Nga bari dalin dy çifte e drejtohen
tek makinat e tyre. Pastaj shoh një benz që ndalet pranë derës.
Që andej del një grua elegante tek të dyzetat. Tek shoh silueten
e saj përtej xhamave, e kundroj si kliente të vonuar. Apo ndoshta frekuenton
baret e natës, del nga njeri e hyn tek tjetri. Pesë minuta më pas
ndrrova mendim. Gruaja doli nga bari duke mbajtur për krahu një zonjë reth
të 70- tave. Zonja e moshuar kishte hedhur një mantel të zi krahëve,
e reth qafës një zinxhir floriri. Nga veshët i vareshin gjithashtu
vathë në formë rathësh. Kishte një fytyrë borë të bardhë,
a thua se s’kishte dalë kurrë ditën jashtë, por vetëm
natën. Mezi ecte. “Ka pirë”, thashë me vehte
Gruaja e ndihmoi zonjën të hynte në taksi, përplasi derën
pas saj e më tha shkurt: Në rrethin e Kolombit!
Pastaj u largua në drejtim të makinës së saj. Adresa ishte
më se e qartë. Zonja e moshuar pas në sedile, dukej se po dremiste. Çuditërisht
fytyra e saj mu duk më e re , nga sa e përcaktova. Ndoshta duhej të ishte
më pak se 70-të. Kur mbërritëm tek rrethi i Kolombit, ndala
taksinë.
-Madam, i fola dhe prita. Asnjë përgjigje. Po flinte. Zbrita nga taksia
dhe i hapa derën. I thirra përsëri. Ajo hapi sytë e vegjël
me qerpikë të lyer, krejt e pasigurtë se ku ishte. Pastaj ngriti
krahun sikur të regullonte flokët. Më trëmbi. Lëkura
e krahut iu var poshtë nga kocka e hollë që e mbante. Më shëmbëlleu
me një flamur të lëshuar. Duhej të ishte shumë më tepër
se 70 vjeç. Për gratë s’duhet të ketë plakje
kurrë, thashë më vehte.
- Madam, mbërritëm, thashë unë.
Ajo vështroi që nga brenda vendin përreth. Disa dyqane të mbyllura.
Dy shtëpi private të bukura. Një bllok më tej një godinë e
lartë.
E ndihmova të zbriste nga taksia, duke menduar se qe akoma përgjumësh.
Ajo drejtoi njëherësh trupin e më dha krahun.
- Nuk po orientohem dot, tha.
- Jemi pikërisht në Rrethin e Kolombit, sqarova.
- Unë nuk dal kurrë më këmbë nga shtëpia, gjithnjë vijnë më marin.
Kaluan dy-tre minuta e ajo s’po dinte të orientohej.
Ashtu për dore e nxorra në udhëkryqin më të afërt.
- A të kujton gjë ky dyqani i likernave këtu?
Nën dritën e dyqanit shkisnin gërmat e ndriçuara “ Liquor
store”
Ajo buzëqeshi.
- Po, po, ky dyqan është afër me apartamentin tim.
Doli që apartamenti i saj ishte në godinën e lartë 12 katëshe,
vetëm një bllok më tutje. Ishte një godinë e bukur me
strehë të kuqe, e ruajtur nga roje me uniformë. Nuk kishte asnjë dyshim
që aty banonin qytetarë të pasur. E shoqërova deri tek hyrja.
Ajo hapi çantën e dorës. Qe një çantë e vogël,
lustrinë e zezë. Rruga kishte bërë 25 dollarë. Pasi
rrëmoi në çantë, u ankua se s’po gjente dot të holla
që të më jepte aq sa kishte ndërmend. Mendova se kisha rënë në ndonjë çifute.
Më kishin thënë që ato janë koprace të mëdha.
Geri u shmangej sepse nuk jepnin bakshish kurrë. Së fundi zonja nxori
nga çanta 3 njëzet dollarëshe të reja fringo.
- Ju më trajtuar si xhentelmen- tha. E falenderova dhe i futa dollarët
në xhep duke më ardhur keq për hamendjen time të mbrapshtë.
Gjesti i bujarisë së saj më bëri ta shoqëroj deri
brenda në hollin e godinës. Dy rojet duke menduar se isha njeriu
i saj më buzëqeshën,
ndërkohë që ajo nisi të rrëmonte përsëri çantën.E
shoqërova deri tek ashensori. Ç’dreqin kërkonte ashtu?
Qe një çelës.
- Ky është çelsi i apartamentit tim. A nuk do të ngjiteni
lart? Im shoq nuk është në shtëpi sonte.
© Albana Melyshi Lifschin/shtator 2008
(Nga libri "Magjia e një zëri")
|
|