Home      My Books      Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare      Kafe Shkodra e Nju Jorkut      Children of Kosova      Fundjave ne Hillsajd      Zëra Nga Larg      POEZI      Udhëtim në Historinë Amerikane      Journey Into American History (impressions)      Takim me të papriturën      Yesterday I Cut My Hair      Ura mbi oqean      Magjia e një zëri      Ka gjithmonë diku - Përshtypje      Disa tregime nga autorja      Vjehërr amerikane      Intervista      Përkthime      Yjet nuk janë të kuq      Photographs      BOTA ME NJE SY  

 

 

Official Website of author

ALBANA MELYSHI LIFSCHIN

Yjet nuk janë të kuq

Saga e Melyshajve

 

 

Fluturimi për në Nju Jork na u duk pa mbarim, por unë isha zhytur në mendimit e mia, e dija nga vija e se ku shkoja; nga një gjysmëfamilje e ndarë me oqean në mes me gjysmën tjetër. Po shkoja te një gjysh që po vdiste, kur gjyshes sime të ëmbël nuk kisha mundur t’i qëndroja pranë në shtratin e vdekjes…

Nëse gjyshi kishte ndjerë zhgënjimin e parë të madh kur partizanët ia dogjën kullën, a thua Pali nuk kishte filluar ta ndiente atë zhgënjim kur nënën e tij, motrën dhe vëllezërit ia mbanin në internim pas telave me gjemba, pa pasur asnjë faj? Pas arratisjes së babait dhe pothuajse të të gjithë burrave Melyshaj, a nuk kishte rënë tërmet në ndërgjegjen e tij? Drama e tij qe një dramë kreshnikësh…


"Yjet nuk janë të kuq”, një rrëfim
tronditës për sagën e Melyshajve

Optikë kritike për romanin “Yjet nuk janë të kuq”
të Albana Melyshi Lifschin

 

Nga Mexhit Prençi

Titulli i librit “shkruar për historinë dramatike e tragjike të Melyshajve “Yjet nuk janë të kuq” është një togfjalësh me semantikë tropologjike. Gjyshi 90-vjeçar, pas 45 vjetësh pritje, rikthehet papritur më 1989 nga Amerika, të shohë e të çmallet me familjen dhe kur të vdes të varroset në tokën mëmë. (Mjerisht të kuqtë enveristo-ramizistë do ta rikthenin andej nga kishte ardhur). Para se të largohej rrëfen shumë historira, ngjarje dhe episode të jetuara. Ndërmjet të tjerave i tregon mbesës edhe këtë fragment nga një episod: “…në kullë kishim strehu disa partizanë… Takova edhe Tuk Jakovën që mbante rreth qafës një shall vishnje me pika…ndërsa Mehmet Shehu mbante shall të kuq dhe kapele me yll të kuq..(Gjyshi kishte bërë një pauzë dhe i kishte thënë mbesës) Pa dil te dritarja, shiko qiellin, a sheh yje të kuq atje lart?…”. Ajo kishte dalë në dritare dhe kishte shikuar qiellin, e hutuar… Ai ishte përgjigjur vetë: “Ndigjo, mbesa ime! Yjet nuk janë të kuq…Yjet janë të ARTË”. Dhe kishte vazhduar më tej. “Për ne s’ka pas gja ma të randë se kur shihnim yllin e kuq partizan me pesë cepa në flamurin tonë kombëtar mbi kryet e shqipes arbnore”. U r t a k u do të konkludonte: Ylli i kuq ka qenë simbol i gjakut që rridhte nga lufta e tmerrshme e klasave, ku deviza e terroristëve komunistë ishte: “Liria i ka rrënjët në gjak“.

2

Libri memorialistik për sagën e Melyshajve është shkruar thjeshtë, këndshëm, me të vërteta tronditëse sipas vështrimit dhe gjykimit të gazetares dhe shkrimtares Albana Mëlyshi Lifschin. Këtë libër e shoh si dëshmi të plotë, ndonëse të pashteruar, për atë që ka ndodhur me familjen e madhe të Melyshajve: gjysma komunistë, gjysma tjetër nacionalistë. Autorja përshkruan dhe rrëfen historinë e jashtëzakonshme të bajrakut të Kthellës së Mirditës, qëndresën për atdhe, flamur, liri e drejtësi sociale dhe kalvarin e vuajtjeve të saj në Ferrin Komunist, më i tmerrshëm se Ferri i Dantes me të vdekurit.

3

Ngjarjet, situatat, rrethanat dhe bëmat e personazheve realë rrëfehen dhe përshkruhen pa i letrarizuar, pa stërhollime estetizante apo deklamacion, por thjeshtë pa rënë në thjeshtëzim, me konkretësi dhe detaje të shumta të cilat herë-herë flasin me shumë se vetë ngjarjet e faktet. Konsideroj vlerë edhe informacionin e shumanshëm autentik, të bollshëm dhe origjinal që iu jep mundësi lexuesve për të parë dritë edhe në mjegullnajë në kërkim të së vërtetës, duke sfiduar historianët dhe gazetarët e politizuar.

4

Ne formësimin e librit “Yjet nuk janë të kuq” janë aplikuar mjete të shumta dhe të larmishme të publicistikës, prozës, rrëfimit dhe përshkrimit artistik; elementë historikë, politikë, socialë e psikologjikë të cilët janë integruar natyrshëm në njeri-tjetrin, duke tejkaluar të rrëfyerit e thatë, të rëndomtë, pa ngjyrime emocionale. Vlerësoj strukturimin, si roman, të këtij libri memorialistik. Është ndër vlerat e rëndësishme, krahas autencitetit të dëshmive të personazheve, të ngjarjeve, situatave që ata vetë kanë përjetuar, por edhe të kujtimeve të të tjerëve që kanë qenë dëshmitarë okularë. Shkrimtarja nuk ka ndjekur kronologjinë e ngjarjeve siç ndodh rëndom në libra të tillë, por mënyrën e kalimit herë në të tashmen, herë në të shkuarën dhe alternimin e tyre, ku autorja rrëfyese është e pranishme dhe si menaxhere në çdo element përbërës të librit, çka e konsideroj vlerë të veçantë.

5

Libri është shestuar dhe formësuar si mozaik me skica, tregime, rrëfime, reportazhe dhe artikuj, ku elementët artistikë dhe publicistikë shkrihen së toku duke shprehur me stil letrar e publicistik dhe me realizëm të vërtetat historike dhe jetësore sipas dëshmive të personazheve okularë, dokumenteve historike dhe këndvështrimit të shkrimtares. Mënyra si i rrëfen dhe përshkruan ngjarjet dhe bëmat e personazheve, thëniet e dëshmitarëve okularë, kujtimet e disa të tjerëve, sidomos te njerëzve më të afërm nga fisi i madh i Melyshajve është origjinale. Ato kanë vlera si argumente në kërkim dhe zbulim të së vërtetës sipas vështrimit të autores. Kjo i ka dhënë siguri ta thotë fjalën e saj edhe për probleme të ndryshme, të diskutueshme, apo që mund të lexohen ndryshe nga të tjerët.

6

Publicistja dhe shkrimtarja jep vertikalisht dhe horizintalisht sagën e Melyshajve si familje bajraktari. Gjon Melyshi, bajraktar me zë, në gjithë krahinën e Mirditës e me gjerë rrëfen autorja, ka pri në kryengritjet për pavarësi, e ka ngritur flamurin e Mëvehtësisë, më 22 nëntor, më parë në bajrakun e Kthellës, e pastaj me tre përfaqsues nga Mirdita ka shkuar në Vlorë. Ka bërë luftë ekzistenciale në përballje të egra me ushtrinë e Turgut Pashës më 1910, me forcat e Mehdi Frashërit si ministër i Brendshëm i Zogut më 1921 dhe gjatë totalitaristëve komunistë gjatë Luftës dhe nga 1944-ta e gjer më 1990.

7

Konsideroj vlerë të rëndësishme edhe vizionin e autores që sagën e Melyshajve e paraqet jo vetëm duke rrëfyer historinë e tyre dramatike, tragjike dhe specifike në tri periudha tw ndryshme, siç e cika më sipër, por edhe për realizmin e thellë në paraqitjen e bëmave dhe gjëmave të komunistëve si ndaj familjes të madhe 300 vjeçare të bajraktarit Gjon Melyshi, ashtu edhe ndaj Mirditës antikomuniste po dhe asaj komuniste...
***
Citoj fjalët e gjyshit që i tha komisarit të kuq, kur shikonte gjuhët e flakëve që dilnin nga dritaret dhe dyert e kullës e nga brenda digjej gjithçka… “Ju i dogjët të tana, pa mendu se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhanë luftës dy partizanë. Tim bir Nikollin e tim nip Palin, – i biri i tim biri…. Nuk ruejtët, së paku, dy dhoma për ta?!..O zot i Madh!…Po me familjen, ç’keni që po e internoni… 25 vetë?!!… Unë e di që kjo luftë u bë për drejtësi…”

8

Ndërmjet shumë e shumë kujtimeve dhe dëshmive që shkrimtarja i ka marrë gjyshit për bëmat e gjëmat e komunisteve, do të shkëpus një fragment nga rrëfimi për Toger “Baba”. Gjyshi tregon: “Ai vetë i vuri vetes këtë emër, a thue se kishte nevojë Mirdita për “Baba”! Quhej Hodo Habibi sipas emnit që i kish vu e ama. Ishte prej Kurveleshi. Njeri mizor. imoral, pa nder, i pa besë. Erdhi me kartabiankë në Mirditë me shtru me hu djemt e burrat e me çnderu femnat. Kishte me veten 200 partizanë dhe dorën e lirë me pushkatu kë të donte ai, pa gjyq. Në atë kohë, viti ‘46, ne Malet e Mirdites ishin 500 burra shpernda në çeta të vogla. I kishin lanë shtëpitë e tyne pasi nuk e donin regjimin e Enver Hoxhes…Toger “Baba” si e njohin mirditorët, filloi misionin me terror, tu rrahur burrat me hu e tu i zhburrnu… Grave të bukura që, u vinte synin, i përdhunonte. Në kodrën e Spaçit arrestoi 40 burra, i zhveshi lakuriq, të lidhur dorëpërdorë, ecnin tri orë më këmbë… Në katundin Mushtë të Bjeshjës së Munellës përdori si burg për ta stallat e lopëve, ku balta kishte shkue deri në gju….”
***
Thoni, po deshët, ju të droguarit me komunizmin enverist, se komunistët nuk ishin terroristë!…

9

Faktet dhe rrëfimet tronditëse që jepen në libër për genocidin e komunisteve me kriminelin Mehmet Shehu dhe të tjerë, ndaj popullsisë në Mirditë po edhe të Lezhë, (e mbarë Shqipërinë, M.P.) janë të paimagjinueshme si ato në vitet e para pas çlirimit, pas vrasjes së Bardhok Bibës dhe gjatë gjithë kohës pa liri të socializmit, gjer në tërheqjen zvarrë të monumentit te Diktatorit të Madh.
***
Gazetarja dhe shkrimtarja Melyshi i ka rrëfyer bukur këto realitete me gjuhën e pastër letrare, artistike e publicistike dhe të vetë personazhëve të cilët me dëshmitë që kanë rrëfyer, e shquan portretin e tyre dhe të kohës barbare me yllin e kuq dhe grushtin ngritur lart.

10

Qëndrimi i autores ndaj bëmave dhe gjëmave të komunistëve terroristë, nacionalistëve dhe të figurës komplekse të Palit, mbështetur më materiale konkrete dhe rrëfime e dëshmi okulare është i hapur, pa ndonje trysni, është një gjykim i lirë, sipas saj. Në të njëjtën kohë teksti i librit jep mundësi lexuesve të gjykojnë lirshëm sipas nivelit të leximit, aftësisë perceptuese e konkluduese dhe bindjeve, të thonë fjalën e tij secili. Parë nga kjo optikë libri është i vlertë dhe i hapur.

11

Vlerë e shtuar e këtij libri sipas meje, është edhe fakti se autorja si rrëfyese e sagës së Melyshajve dhe pjesëtare e kësaj familje, është ndjekëse e traditave pozitive, atdhetare, fisnike dhe humane të saj. Kjo jepet në libër jo nëpërmjet fjalëve të përgjithshme e patetike, por nëpërmjet rrëfimit të ngjarjeve dhe episodeve të veprimtarisë së saj që në fëmijëri; kur punonte si gazetare dhe drejtuese e redaksisë së fëmijëve në RTVSH në kohën e demokracisë dhe sidomos të veprimtarisë në SHBA, ku një kontribut të admirueshëm ka dhënë në zgjidhjen e problemeve të emigrantëve shqiptarë në Nju Jork që të integrohen sa më parë e sa më mirë në këtë vend të demokracisë dhe lirisë për të gjithë njerëzit e globit.

12

Do ta përfundoj këtë optikë kritike për librin “Yjet nuk janë të kuq” me një fragment nga tregimi i fundit “Pasardhësi” me të cilin mbyllet libri: ”Nipi i Preng Dod Gjinit, kish hyrë në strehën e Amerikës…pa dokumente. Kishte vetëm një video që dëshmonte se kush ishte. Me një vendosmëri të “çmendur” kërkonte integrim në SHBA… (Dhe fitoi. Edhe me ndihmën e Albanës. M.P.). Ishim dy pasardhës “opozitar”. Një ditë, patjetër nipi i Preng Dod Gjinit do ta mësonte gjuhën njerëzore të përbotshme në këtë vend të lirisë dhe do të hidhte pas vetes urrejtjen dhe paragjykimet e së kaluarës. Të dy kishim ardhur nga ana tjetër e globit, për t’u takuar në një pikë në rrethana fare të paimagjinueshme nga paraardhësit tanë. Ai ishte një emigrant dhe unë isha aty për ta ndihmuar. A do të kishin qenë në gjendje gjyshërit ta parashikonin këtë? M’u duk bota shumë e vogël dhe jeta një shaka e madhe!
***
Ç’qe, ajo luftë e mallkuar klasash që na kishte futur kaq keq në vorbullën e saj dhe na vërtiste si të donte kundër njeri-tjetrin… drejt humnerës!”?!.
FISHTA do të thoshte: “O Zot!..Pse s’gjuajte me rrufe!?!”

Gazeta Tirana Observer
26 Prill, 2015


Prof. Dr. Klara Kodra: Vepër me fakte reale që ua kalojnë për tragjizëm tragjedive shekspiriane…

Vepra pasqyron tragjedinë e shumfishtë të një familje që ndahet në dysh nga lufta e klasave, ku një pjesë e kësaj familje luftohet duke qënë e pafajshme për traditat e saj të larta, jo për vese e krime dhe tjetra detyrohet ta mohojë gjysmën tjetër të vet. Po si mund të ndahet më dysh, zemra, trupi?Si mund te ndahet më dysh rryma e gjakut? Kjo familje, si qelizë e shoqërisë ngrihet në simbol të Shqipërisë së përçarë nga diktatura komuniste Në këtë vepër ka fakte reale që ua kalojnë për tragjizëm tragjedive shekspiriane, drama e një nëne që humbet dy herë të birin nga vdekja fizike dhe nga mallkimi që hodhën mbi të pikërisht shokët e tij të idealit, një nënë të ndarë për së gjalli nga vajza, drama e një burri që lufton tërë jetën për atdheun paradoksalisht detyrohet ta braktisë dhe më vonë, pikërisht ata që ia mohuan mundësinë të jetojë për të i mohojnë edhe të drejtën të vdesë në gjirin e tij, drama e një djali të ri që tradhëtohet nga shokët e idealit për të cilin flijon jetën; drama e një vajze të re që humbet të dashurin, e një vajze tjetër, autores, fëmijëria e së cilës helmohet nga tragjedia e familjes. Në këtë vepër zbulohet tragjikja dhe e madhërishmja e realitetit që ia kalon gjetjeve më të guximshme të fantazisë dhe autores i duhet ta ngjyejë penën në gjakun e zemrës, për ta përshkruar dhe për ta përshkruar atë duhet vetëm thjeshtësia.Dhe autorja e arrin këtë thjeshtësi. Në këtë vepër ka një rrëfimtare kryesore që është vetë autorja, dhe disa zëra gjyshi, gjyshja, nëna, e fejuara e Palit, vetë Pali që vizatohet në sfond në dritë –hije, si një personazh enigmatik, më tepër përmes perceptimit të të tjerëve. Pra vepra ka një karakter polifonik dhe personazhe të marra nga realiteti dhe që rikrijohen si në autobiografitë ose biografitë karaktere që jepen me viza të shpejta por të mbeten në mëndje...


MEHILL TANUSHI,

Gazetar, Londer

“Yjet nuk janë të kuq” një roman i jashtezakonshem i shkrimtares shqiptaro- amerikane Albana Melyshi Lifschin

Pas një përvoje të gjatë në gazetari dhe të një paraqitjeje dinjitoze dhe të suksesshme në letërsi, si poete dhe shkrimtare, me disa vepra të publikuara më parë, Albana Melyshi vjen me botimin e saj më të ri, “Yjet nuk janë të kuq”. E kam quajtur një vlerësim dhe nder të madh faktin, që pa pasur ndonjë njohje të afërt personale me të, Albana më besoj leximin që në dorëshkrim të këtij libri, që unë do ta përcaktoja si një roman historik të jashtëzakonshëm.

Them se duhet vlerësuar si roman, (pavarësisht rregullave përcaktuese të gjinive letrare), sepse densiteti dhe dramaciteti i ngjarjeve dhe personazheve, ngjyrimi dhe përshkrimi artistik i tyre, ritmi me të cilin zhvillohen situatat, e kalojnë cakun e rrëfimit të thjeshtë kronologjik e historik, pavarësisht se gjithçka është treguar me vërtetësi dhe asgjë nuk është e trilluar.

Po kështu mendoj se është i jashtëzakonshëm, sepse, vetë subjekti është i jashtëzakonshëm: Një familje e ndarë më dyshë nga politika, që u mbijetoi sfidave të kohës si një e tërë. Një familje me dy partizanë në luftë që u digjet shtëpia dhe internohen po nga partizanët. Një baba i arratisur, i cilësuar tradhtar dhe i vendosur kundër të birit hero. Një nënë që kalon 12 vjet në internim me tre fëmijët e saj të vegjël, me bashkëshortin dhe një djalë të arratisur që s’do ti shihte kurrë më për të gjallë, e cila thirret nga ferri për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes "Hero të Popullit" të të birit idealist të vrarë 7 vjet më parë. Një Derë e Parë dhe e respektuar në një krahinë të rëndësishme të Mirditës që jo vetëm i’u ndalua të priste e përcillte me bujari miq e shokë, që i’u ndaluan mortet e dasmat me të tjerët, që i’u ndalua pjesëmarrja në mbledhjet e popullit, por mbi të gjitha i’u ndalua edhe komunikimi me pjesën tjetër të familjes në Tiranë.

Rrallë ndodh që një libër të lexohet me një frymë, siç ndodh me “Yjet nuk janë të kuq”. Kjo sepse, nga njëra anë autorja ka arritur të na e shfaqë dramën e familjes Melyshi, me forcën, peshën, dhimbjen dhe dimensionet e legjendës, dhe nga ana tjetër, skenat që përshkruajnë ngjarjet e kësaj drame, thuren thjeshtë, bukur dhe me ngjyra të jashtëzakonshme emocionale. Personazhet, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë edhe sot, lëvizin me lirshmëri brenda vorbullës së jetës ku i ka hedhur fati i imponuar. Merita e Albanës është se duke u vendosur pa u ndjerë në qendër të romanit dhe duke i treguar ngjarjet herë-herë në vetën e parë, e rrëfen dramën e familjes gjakftohtë dhe me vërtetësi historike, pa u pozicionuar emocionalisht, duke shmangur mllefet, gjykimet, fajehedhjet. Si një xhongler profesionist që ecën mbi tel, autorja ka arritur të ecë e sigurtë nëpër tehun e hollë të briskut që ndante të dy gjysmat e familjes. Ndoshta Albanën e ka ndihmuar edhe fakti që këto 20 vjetët e fundit ajo ka jetuar jashtë vendit, larg meskiniteteve, hatërmbetjeve, dritëshkurtësisë inatçore, në një vend ku gjerat shihen me ngjyrat që kanë, ku të zezës i thonë e zezë dhe të bardhës e bardhë. Por, gjithashtu mendoj, se për këtë e kanë ndihmuar edhe vetë personazhet që në rrëfimet e tyre nuk janë aspak hakmarrës, mëllefçarë, përkundrazi janë shumë dinjitozë dhe njerëzorë. Nuk është se Albana i ka skalitur për të na i paraqitur të tillë këto personazhe. Në asnjë mënyrë. Ajo thjeshtë ka mbajtur shënim kronikën e ngjarjeve të familjes për të na e dhënë me vërtetësi ashtu siç ka ndodhur.

Duke shfletuar librin bie në sy sjellja dinjitoze e gjyshit të Albanës, një rast i rrallë, ndoshta i vetmi rast, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe më gjerë, që mban mbi supe titullin bajraktar, dhe është njëherazi i cilësuar edhe “Armik i Popullit” edhe babai i “Heroit të Popullit”. Në prag të vdekjes, pasi ka kaluar gjithë jetën larg familjes, bashkëshortes dhe fëmijëve, ai vendos të vijë për t’u prehur përgjithmonë në tokën e tij. Çuditërisht i jepet një vizë hyrje, por brenda pak ditësh në derë i mbërrijnë autoritetet shtetërore të kohës që i thonë se me të është bërë një gabim i madh dhe se të nesërmen ai duhet të kthehej nga kishte ardhur. Plaku nuk proteston para oficerëve, jo se nuk kishte të drejtë, jo se nuk kishte kurajo e guxim, porse është mësuar dhe është në dinjitetin e tij t’i vlerësojë gjërat me një gjykim largpamës. Ai e din se ata thjeshtë po i kumtonin një urdhër të ardhur nga lart, dhe kësisoj, në mos ata, dikush tjetër do ta bënte, kështu që i konsideron thjeshtë njerëz që po kryenin një punë të ngarkuar. Ai u thotë vetëm kaq: “Ani, ani, gabime bahen”! E pra ai nuk kishte ardhur as të merrej me politikë dhe as të përmbyste pushtetin, megjithëse ka qenë gjithë jetën kundër ideve të regjimit që i ndanë e i përçanë njerëzit. Si një oficer i shkolluar, gjithashtu ai ka objeksionet e tij për shpalljen e përcaktimin e një njeriu “Hero”, kur në shënimet e tij në mërgim shkruan: ...“Titulli ‘hero’ nuk mund t’i jepet atij që ka dhanë jetën për një ide të një partie politike, por njat herë kur ka dhanë jetën për të mirën e mbarë kombit e të shoqërisë pa dallim”... E pra këtij njeriu që kishte ardhur thjeshtë për dy metra varr në tokën e tij, i’u refuzua kjo e drejtë. Ndërsa duke u larguar, familjarëve u thotë se nuk do jetë e largët dita kur ky regjim do të bjerë dhe familja e tij e madhe do të bashkohet përsëri. Dhe profecia e tij u realizua vetëm dy vjet më vonë.

Ose le të kujtojmë këtu shprehjen dinjitoze të gjyshes së Albanës kur e marrin nga kampi i internimit ku kishte vuajtur 12 vjet si “nënë tradhtari” dhe e sjellin në zyrat më të larta të shtetit për ta ngritur në piedestalin e nënës së Heroit dhe kur zyrtari me pozitë e shumë grada i thotë kërko çfarë të duash, ajo i përgjigjet: “Më jepni triskën e frontit”. Ajo vinte nga birucat e internimit por nuk kërkoi shtëpi të madhe dhe me dritë, vinte nga ushqimi me racion, por nuk kërkoi të ardhura për të jetuar. Kërkoi atë që i kishte munguar dhe që e kishte munduar më shumë: ndarja për së gjalli nga njerëzit. I dhanë triskën e frontit, por nuk i dhanë të drejtën për tu bashkuar me pjesën tjetër të familjes në Mirditë që vazhdonte të ishte “e prekur”.

E njëjta gjë vërehet edhe tek një personazh tjetër interesant, Zina, një grua njerëzore dhe fisnike me vështrim nga e ardhmja, që të kaluarën e saj të zymtë e plot vuajtje e përdor si portfolio, ose thënë më thjeshtë si një arkiv ku herë pas here qëmton për të nxjerrë prej andej referenca që do ta ndihmojnë për të ndërtuar më mirë raportet me njerëzit e për të parë më qartë përpara. Ajo është e ndërgjegjshme se e keqja dhe kufizimet për të jetuar normalisht jetën nuk i kanë ardhur nga njerëzit që e rrethojnë, përkundrazi ata shpesh e kanë trajtuar mirë. Fati i saj dhe i familjes së saj ishte vendosur lart dhe nuk kishte të bënte me këta njerëz të thjeshtë që jetonin edhe ata me kufizimet që u sillte sistemi. Ndaj me një qetësi e zemërmadhësi për t’u admiruar e pret edhe vendimin e përjashtimit nga shkolla ku e kishin dërguar “gabimisht”, por edhe takimin më në fund me pjesën tjetër të familjes. “Ne veç mallit s’kemi pas gja tjetër për njani-tjetrin, por na kishte nda politika”... shpjegon ndarjen e gjatë Zina.

Ndaj e konsideroj me vlerë shumë të madhe tendencën e mirëkuptimit dhe të shikimit përpara që shpalos Albana në këtë vepër. Historia e familjes Melyshi, treguar me mjeshtri artistike, është sa unike aq edhe përgjithësuese. Të gjitha familjet mirditore e më gjerë shqiptare, diku më pak e diku më shumë e kanë nga një detaj apo fragment të “Sagës së Melyshajve”. Ndaj mesazhet që përcjell ky libër kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për brezin e sotëm, por edhe për brezat që vijnë. Ato janë mesazhe paqeje dhe reflektimi.

Krahas vlerave artistike dhe letrare, libri “Yjet nuk janë të kuq”, është gjithashtu një kontribut historik jo vetëm se sjell shumë fakte të reja nga një periudhë e rëndësishme e historisë së Mirditës, por njëherazi hedh dritë edhe mbi disa ngjarje të njohura që janë parë nga këndvështrime të reja. Dëshmitë e të fejuarës së Pal Melyshit për lidhjen dhe ndarjen e tyre, të gjyshes për djegien e kullës dhe jetën në internim, të gjyshit për arratisjen nga atdheu, të dajës për jehonën e këtyre ngjarjeve jashtë, vështrimet mbi “Toger Babën” dhe “Nusen e vdekur mbi kalë”, pastaj tre varrosjet dhe zhvarrosjet e eshtrave të Pal Melyshit, e plot fakte të tjera, janë një pasuri me interes për historianët.

Duke ruajtur të pa prekur autenticitetin e pjesëve rrëfimtare historike, me aftësinë e një shkrimtareje profesioniste, Albana përshkruan bukur e me mjeshtri artistike ecejaket e saj nëpër ngjarje e situata, që nga periudha si gazetare e televizionit në Tiranë, ku rrethohej jo vetëm nga kolegë dashamirës por edhe nga “Uriah-ët” që thurin prapaskena, e deri tek jeta e re në Nju Jork, ku i qëndroi pranë gjyshit në ditët e fundit të jetës dhe më pas. Nuk i’a vlen ta vrasësh mendjen tani, nëse qe një rastësi e vogël apo një shaka e madhe e jetës, fakti që Albana, mbesa e Pal Melyshit, do takohej dhe do ta ndihmonte, pa e ditur ai, nipin e Preng Dodë Gjinit, në Amerikë. Ai kërkonte azil politik duke i tundur avokatit amerikan një kasetë me filmin “Operacioni Zjarri”. Me këtë pasazh që përfundon me një pyetje retorike, Albana mbyll librin e saj: ... “Ai ishte një emigrant dhe unë isha aty për ta ndihmuar, siç kisha ndihmuar mjaft të tjerë. A do të kishin qenë në gjendje gjyshërit ta parashikonin këtë? M’u duk bota shumë e vogël dhe jeta një shaka e madhe. Ç’qe ajo luftë e mallkuar klasash që na kishte futur kaq keq në vorbullën e saj e na vërtiste si të donte të na hidhte në çdo moment në humnerë?”...

Vërtetë, ç’qe ajo luftë e mallkuar klasash që i vuri njerëzit kundër njerëzve, prindin kundër fëmijës, njërën gjysmë kundër gjysmës tjetër? Pyetja mbetet retorike, jo vetëm se në një farë mënyre e tillë është, por Albana me veprën “Yjet nuk janë të kuq”, nuk e ka si qëllim më vete këtë përgjigje. Ajo shpalos e tregon bukur faktet, konkluzionet i nxjerr vetë lexuesi.


Dedë SHKURTI, Tirane

Kam arritur të shquaj tre vlera të qensishme në këtë libër të Albanës:

E para është gjuha e thjeshtë shprehëse dhe e larmishme me të cilën është shkruar...

Fjali të shkurtëra me ngarkesë emocionale dhe figurative, dialogje të këndëshme e me mendim racional.
Duke lexuar librin të duket se po sheh një telereportash historiko – artistik, skenarin e të cilit po e lexon vetë.Kjo vjen sepse autorja , falë edukimit solid në gazetari, përvojës së gjatë e të vyer në Televizionin e vetëm të asaj kohe dhe të talentit të saj krijues, zotëron një mjeshtri të shkruari për t’u pasur zili.

Vlera e dytë është Vërtetësia.

Albana, si një arkeologe shumë skrupuloze, ka gërmuar vetëm me gishtërinjtë e saj të dorës delikate dhe të mendjes së ftohtë të një femre shkrimtare.

Ajo ka hequr baltë dhe pluhur që kohrat e kanë hedhur, sa spontanisht e sa me vullnet. Ajo nuk ka përdor penelata, nuk ka bërë retushime dhe restaurime.

Ka ruajtur mrekullisht kontrastet natyrore të relievit. Nuk i ka drejtuar prozhektorët për të mbindricuar të dalat, kuotat e larta e as për të dhënë efekte imagjinare në zgavra të pandricuara e të pandricueshme sa duhet.

Vertetësia e treguar me një gjuhë të thjeshtë ia shumëfishon vlerat librit.

Vlera e tretë dhe më e qënsishmja:

Libri, “Yjet nuk janë të Kuq” është një manifest dashurie kundër ndasive dhe urrejtjes, autorja ka ditur të promovojë e të fisnikërojë Virtytin përkundrejt ceneve, Dashurinë përkundrejt urrejtjes, Gjykimin e ftohtë, përkundrejt temperamenteve gjaknxehta e dallgëzimeve emotive, ka bërë shkrimtaren humane, të qytetëruar e iluminuar …

15.06.2013


 
Albana's Home Page Children of Kosova Kafe Shkodra e Nju Jorkut
(Tregime)
Poezite e Mia
Udhëtim në Historinë Amerikane
(Përshtypje)
Journey Into American History
(impressions)
Takimme të papriturën
(Tregime dhe novela)
Fundjave ne Hillsajd
(Tregime dhe novela)
Yesterday I Cut My Hair
(Poetry)
Ura mbi oqean
(Tregime)
Disatregime nga autorja Magjia e një zëri
(Tregime dhe novela)
Ka gjithmonë diku
(Përshtypje)
Vjehërr amerikane
(Novelë)
Intervista Përkthime
Yjet nuk janë të kuq
Saga e Melyshajoe
Photographs Perëndimi Mistik
Publicistikë Letrare
BOTA ME NJE SY