|
Prof. Dr. Klara Kodra
Poezi me dhuntinë e vetvetshmërisë
Mbi poezine e Albana M. Lifschin në librin"Ka gjithmone diku"
Të gjithë fëmijët dhe të gjitha lulet kur lindin
në dukje ngjajnë me njëri -tjetrin apo me njera tjetrën
dhe megjithatë secili prej tyre është i papërsëritshëm
. Kështu ngjet edhe me vëllimet e poezive. Duhet t'i shikosh
nga afër për të gjetur veçantinë e tyre dhe
kjo është detyra e kritikëve. Çdo vëllim me
poezi synon drejt veçansisë për të mos përmendur
origjinalitetin që arrihet rrallë. Natyrisht kjo lidhet me
shkallën e talentit por edhe me guximin. Duhet guxim për të qenë vetvetja,
për të mos imituar verbërisht as mjeshtrit e së kaluareës,
as avangardët e të sotmes, për të mos iu përshtatur
shijes së publikut, por për ta udhëhequr atë. Vëllimi
i Albanës e ka këtë guxim të çiltërsisë.
Poezia e Albanës po të përfshijmë edhe poezitë e
mëparshme e ka këtë veçori,që nuk lindi nga ëndërrimet
naive të adoleshencës, të asaj moshe që kthen gjithçka
në poezi, lindi relativisht vonë nga një personalitet
i pjekur që eci në fillim në rrugën e prozës.
Në këtë vëlllim të tretë mendoj se autorja
e ka krijuar profilin e saj të veçantë, që shfaqej
qysh në vëllimin e dytë.Poezia e Albanës e lindur
në një klimë lirie nuk e ka atë patetikë retorike
të trashëguar prej poezisë së Rilindjes dhe më vonë të Realizmit
socialist, por nuk e ka as atë erresi të përhapur tek
poetët bashkëkohor që pretendon për thellësi
e modernitet dhe që s'është veçse një modë jo
e prerë për çdo individualitet krijues, një prirje
që jo rallë fsheh zbrazëtirë. Poezia e Albanës
nuk është as një poezi fantazie shpërhtyese apo figuracioni
befasues, një lloj poezie që mund të arrijë kulme,
por që paraqet rreziqe për poetët që s’e kanë ndjenjën
e masës. Por mjaft folëm për çka s'është poezia
e Albanës.Le të përpiqemi ta përkufizojmë se
si është. Kjo poezi ka dhuntinë e vetvetshmërisë,
kusht i çdo poezie të vërtetë që duhet të ketë zërin
e vet. Zëri i mëllenjës s'është si i bilbilit,por
mund të ketë bukurinë e vet, po qe se mbetet zë mëllenje
e s’pretendon të jetë zë bilbili. Albana e ka tani
këtë zë të vetin. Poezia e saj është e
thjeshtë spontane dhe njëkohësisht zotëron konçizitetin
dhe koncentrimin, pa rënë në fragmentarizëm,as në thatësi
duke ruajtur një ekuilibër të brendshëmn. Jo rallë kjo
poezi ngjan si epigrafike. Poezia e Albanës është një poezi
që e ka mesazhin e vet, por që di të integrohet me formën.
S’ka gje më të gabuar që të shikosh mesazhin
dhe formën si dy bashkëudhëtarë që përpiqen
të vrasin njëri tjetrin, ata janë përkundrazi dy
vëllezër siamezë që s’i ndan dot njëri
nga tjetri pa rrezikuar jetën e secilit.Poezia e Albanës ka
se çfarë të thotë për temat e mëdha ekzistenciale
të dashurisë në kuptimin e saj të gjërë të jetës
dhe vdekjes së rinise që ikën dhe për një temë nevralgjike
si ato të idenditetetit që ajo e njohu tepër qartë e
ndarë midis dy vendeve, atdheut të origjinës dhe vendit
ku jeton e punon. Shumë domethënëse për këtë është vjersha
e shkurtër "Betimi" ku në shpirtin e saj shkrihet
flamuri me 50 yje i atdheut të ri dhe flamuri kuq e zi i tokës
mëmë. Folëm për karakterin epigrafik të poezisë së Albanes,për
koncizitetin lartë që ajo arrin aq sa ndeshim edhe vjersha
që përbëhen prej vetëm një distiku. Ka poezi
që mbështeten vetëm në një figurë të goditur
si vjersha "Shkalla e poezisë" që hap vellimin. Disa
vjersha të Albanës mbështeten si një gjetje,një detaj
që rimerret me një kreshendo graduale për të arritur
në kulmin shpërthyes siç ndodh në vjershat “Dje
preva floket" dhe "Dje sot dhe nesër"
Dje duke menduar për ty,
humba autobuzin,
sot duke mendur për ty,
humba trenin
nesër,nëse ende
do të jem duke menduar per ty
do të humbisja jetën…
Jo pak vjersha e zbulojnë kuptimin në vargun e fundit shprehës
dhe befasues. " Si mundet vallë të bëjë dashuri
një trup i vdekur?" (poezia:”E desha shpirtin tim të lirë)
,"Këmbëkryq nisi rrugën ky shekull i ri"(tek "Ngjyrat
e këtij dimri). Ose "Ti shpirtin tim e kishe shitur,
yti qe kthyer në plumb të zi"(Medaljoni) ;”Toksorë tek
planeti i vjetër do të kthehemi(Planeti) apo " Për
shpirtin pudër gjetur's kish (Gjer në vdekje)
Poezia e Albanës është një poezi e çlirët, më tepër
se një poezi me varg të lirë: Vargu i saj s’është tradicional,por
ka një ritëm të vetin, që i përshtatet mesazhit. Rima
shfaqet aty këtu për të nënvizuar fjalët çelës.
Një poezi interesante është poezia " Prifti i shpriftëruar",
një poezi dramë, drama e një prifti të ri të ndarë midis
dashurisë për perëndinë dhe asaj për një vajzë,
që zgjodhi dashurinë toksore dhe u quajt mëkatar .Poezia ngjan
mbivalente si kënga e Dantes për Paolon e Franceskën. Autorja
duket se s'mban asnjë anë, s'na thotë nëse zgjedhjen e priftit
mund ta quajmë mekatë apo sfidë të guximshme ndaj rregullave
të ngurta. Ajo vetëm e pasqyron këtë dramë me dhimbje
e mbase simpati për protagonistët e saj. Nuk del e qartë nëse
vargjet"nëmur nga Ati do të qe përgjithmonë/nga njerëzia
përgjithmonë i harruar shpreh dënimin e kishës,apo edhe atë të autores
. Vjersha mbyllet me dy vargje që pasqyrojnë mungesën në kishë të të dashuruarve,
shkëputjen e tyre prej saj, vargje mjaft shprehëse.
Një tjetër poezi interesante për mesazhin e tolerancës që natyrshëm
shkrihet me karakterin autobiografik është “Inter-fe”,
ku dashuria njerëzore është si një urë vllazërimi
midis feve të ndryshme për të adhuruar sëbashku të njëjtin
Zot. Edhe dashurisë së nënës Albana i këndon në mënyrën
e vet. Në vjershën 'Djali" ku nëpërmjet vargjeve shprehëse
dhe aspak retorike a frymë didaktike i përçohet birit një mesazh
qëndrushmërie. Patosi mbizotërues që i përshkon vjershat është patosi
lirik dhe ai dramatik. Ka edhe vjersha që përshkohen nga një ironi
e lehtë. Poezia e Albanës dallohet nga vetëpërmbajtja që nuk
i jep ftohtësi,por dinjitet. Në poezinë e Albanës mendimi
dhe ndjenja integrohen me njeri tjetrin Lirizmi ka pamjen e një burimi të qartë që shpërthen
nga thellësitë.
(Nga diskutimi i Prof.Dr Klara Kodra ne promovimin e librit / 28
maj 2010.
Ali Podrimja
Loja mes zjarrit e fjalëve
Poezinë e përcjell
vetëm kur lëshon shtat mes zjarrit e fjalëve. Kemi të bëjmë me
diçka që i afrohet filigranizmit deri në përsosje të tekstit
kur hedh nga trupi fjalët e tepërta ose ndonjë figurë që mjegullon
horizontin, pra kur krijuesi është i përqëndruar të artikulimi
ekuivok. Të tmerrshme janë bredhjet e skribomanëve që humbin
durimin dhe nuk dijnë ta gjejnë rrugën për tek e bukura.
Poetesha e njohur suedeze Linda Aberg thotë: “Është vështirë të shkruash
shkurt”. Poezia është diçka që lëviz dhe
mban gjallë kujtesën. Krijuesi duhet të ketë kujdes në konceptin
e asaj që e hedh si ide, mesazh, ndoshta dhe me evoluimin e vetë tekstit
poetik.
Leximi i tekstit varet kryesisht nga qasja e recipientit: ç’dëshiron
të potencojë nga mesazhet. Miku im Zija Çela mbështet
se modernitetin e poezisë e mbajnë gjallë: eliptizmi dhe revolta
ndaj shkarjeve shoqërore, njerëzore, nuk prajnë pra kërkimet
që duhen parë ato si përpjekje për poezi të pastër
dhe me vlera universale.
Përmbledhja e poezive “Ka gjithmonë diku” e Albana M.
Lifschin ngërthen në vete sensibilitet të çuditshëm,
të rrallë do të thoja. Kisha përpiluar edhe më parë ndonjë libër
të krijueseve shqiptare, si dhe Antologjinë e poeteve “Taket
e larta”, viti 2000, që më kishin mahnitur me artikulimin
e mesazhet e tyre. Albana ka diçka që të nxit ta ndjekësh
udhëtimin e saj imagjinativ. Tek e lexon poezinë e saj bindesh se
kjo zonjë e letrave shqipe vë në funksjon njerëzoren,
i rri anash vorbullës së asociacioneve trishtuese, ndërsa recipienti
shpalos gjuhën e figurave, na shëtit deri të enigma “në përkryerjen
ritmike e kuptimore të tekstit poetik”, siç do të thoshte
Ezra Pound.
Tek i bashkohemi udhëtimit të saj, në të vërtetë hulumtojmë vlerat
kulminante në librin e përmendur me titull domëthënës “Ka
gjithmone diku", që nuk janë të pakta. Disi na kujtohet
John Ashbery dhe vargu i tij “Thjesht të jetuarit nuk mjafton”.
Trokasim në botën e sekreteve, të intensitetit të ndjenjës
së dashurisë, megjithëse” ndjeshmëria, siç shkruan
Elioti ndryshon nga një brez në tjetrin, duam apo s’duam ne…”
Temat e mëdha si vdekja e identiteti i rrezikuar pranohen shpesh si poezi
dokument. I këtij mendimi është edhe kritiku e poeti polak
Leszek Szaruga.Tek kaloja kufirin vdekjeprurës mes Bllacës e Dardanisë nën
ushtimën e plumbave të padukshëm kisha vërejtur imazhin
e antikitetit: një nënë e re e tmerruar vraponte drejt turmës
së pafundmë 1999, tërhiqte një fëmijë përdore
ndërsa tjetrit ia afronte gjirin, por fëmija fatkeqësisht ishte
i vdekur. Kuja e saj kishte ngritur në këmbë një botë të tërë të ekzodit.
Më vonë e shkrova poezinë që ishte: dëshmi e hidhur
e tragjedisë së ndodhur në fund të shekullit XX.
Albana M. Lifschin është ndër të paktat krijuese shqiptare
që poezinë nuk e ngarkon me fjalë e me sekuenca trishtimi,
u rri anash tërmeteve shpirtërore dhe mbështet se “gjërat
duhen thënë bukur e me dinjitet, qoftë edhe përmes një skice
apo poezie erotike se jeta njerëzore është kompleks ndjenjash
e fatesh; aty asgjë nuk është tabu as privilegj për njerën
anë të duetit.” Mund të elaborohen në detaje edhe
gjërat më intime të qenies njerëzore, se arti kërkon
të pamundshmen.
Madhështinë si krijuese dhe njeri, Albana arriti ta thotë përmes
shumë poezive të saj vërtetë antologjike. Me këtë rast
dua të kujtojmë vargjet brilante te “Shkalla e poezisë”,
por kjo nuk është e vetmja në këtë përmbledhje.
Po ashtu titulli i librit nxit të mendosh se ç’është ajo
që gjithmonë gjendet diku. Mbetet kjo enigmë edhe për
recipijentin.
Në pyetje është kujtesa, se drama njerëzore u reprizua
shpesh në Gadishullin Ilirik dhe atë e paguam shtrenjtë...
Poeteshën e ndjek kjo frikë qoftë përmes njerëzve
të saj, që i njeh apo të atyre që u bënë dhe
atdheu. Nuk pranon të ngris dorë nga himnizimi i dashurisë,
se dashuria është diçka hyjnore. Është e bindur
se vetëm nuri i saj mund ta shpëtoj njeriun nga apokalipsi. Përmbledhja
e poezive të Albanës shënon triumfin e shpirtit mbi zymtësinë që kishte
pushtuar hapësirën e gjallimit tonë.
Ulpianë, 2010
botuar ne gazeten ILIRIA, dt. 2 prill/2010
|
|