|
Realitete të çertifikuara me vlerë historike
Albana Melyshi Lifschin, shkrimtare e njohur shqiptaro-amerikane, pas një përvoje
shumë të gjatë në letërsinë artistike me disa
vepra të botuara në prozë dhe poezi, i është rikthyer
publicistikës, pasionit të saj të vjetër dhe të pa
ndërprerë që e ka mbajtur të lidhur ngushtë me profesionin
fillestar, gazetarinë. Shkrimtari dhe publicisti shpesh nuk qëndrojnë në një,
nuk janë domosdoshmërisht e njejta gjë. Ka shkrimtarë që nuk
kanë botuar ndonjëherë publicistikë, ashtu siç ka
publicistë që nuk kanë shkruar ndonjëherë letërsi
artistike. Por ama, kur i njejti autor lëvron njëherazi edhe letërsinë artistike
edhe publicistikën letrare, si në rastin e Albanës, atëherë mbështetja
mbi realitetin është më e fortë dhe veprat janë më dinjitoze
e i rezistojnë më gjatë kohës. Ndaj, nuk është e
rastit, që tek të gjitha veprat e botuara të Albana Melyshit
ndjehet fort kjo lidhje me realitetin.
Të gjithë e kemi vënë re që librat publicistik rrijnë shumë mirë në bibliotekat
tona. Krahasuar me letërsinë tjetër të shkruar, si romanet,
tregimet, poezitë etj, në të vërtetë ato janë më të vlefshme
për lexuesin, për historinë dhe për kohën. Ndërsa
tek letërsia tjetër, ndonëse ngasjet dhe ngjarjet marrin shkas
nga realiteti dhe më pas vishen me imagjinatën dhe trillin artistik,
me publicistikën ndodh ndryshe. Ajo është vetë realiteti
i fotografuar në çast. Ngjarjet, personazhet, rrethanat, përshkrimet,
janë realitete të çertifikuara, e kësisoj janë referenca
të padyshimta për historianët dhe çdo të interesuar
rreth ngjarjeve të caktuara. Por ndodh shpesh që publicistika humbet
e harruar pasi botohet në ndonjë të përditëshme për
shkak të pamundësisë, neglizhencës apo moskujdesit të autorëve,
prandaj botimi i kësaj përmbledhje publicistike nga ana e Albanës
duhet vlerësuar si një kontribut me vlerë në përgjithësi
për letërsinë, e në veçanti për historinë.
Publicistika letrare e përmbledhur në librin "Perëndimi
Mistik" është një lloj dritë-hije nga dy kontinente,
ashtu siç është e ndarë vetë jeta e Albanës
shkrimtare e gazetare në mes Shqipërisë dhe Amerikës. Në rrëfimet
e saj ndjehet përgjegjësia serioze e gazetares që shkruan e
tregon bukur, që është korrekte dhe shqetësohet për
ato që thotë. Ajo qëmton me kujdes ngjarje dhe fakte interesante
dhe i sjell në vëmendjen e lexuesit me natyrshmëri dhe me një stil
të këndshëm.
Në udhëtimet e saj nëpër Amerikë, por edhe gjatë vizitave
në kthimet e saj të herë pas herëshme në Shqipëri,
Albana jo vetëm ka nuhatje të thellë në fakte e ngjarje,
por ka edhe një të ecur të mençur të penës
së saj, pa pretenduar t'i mbushë mendjen lexuesit, por me kërkesën
që të hyjë thjeshtë në përfytyrimin e tyre. Për
lexuesin shqiptar janë mjaft interesante disa fakte historike, një pjesë të panjohura,
të treguara bukur e me ndjenjë, siç janë rrëfimet
për Amishët - një popull i çuditshëm amerikan që jeton
i mbyllur brenda zakoneve e dokeve të veta fisnore, jashtë kontakteve
me botën e qytetëruar, misionin komunist të kultit të Xhim
Xhonsit që bëri vetvrasjen më të madhe të shekullit
të XX, me rreth 1000 njerëz, apo lirinë e shprehjes me kushtetutë të protestës
deri në lejimin e aktit të djegjes së flamurit amerikan, e shumë e
shumë rrëfime të tjera. Ashtu sikurse edhe lexuesi amerikan,
nëpërmjet reportazheve e shënimeve të Albanës gjatë udhëtimeve
në vendlindje njihet me copëza të historisë dhe të realiteteve
të hershme e të vona shqiptare.
Libri më i ri "Perëndimi Mistik" i Albana Melyshi Lifschin është një vlerë e
shtuar në publicistikën letrare shqiptare e më gjërë.
Ai lexohet me një frymë, sepse ngjarjet janë interesante që të mbajnë të mbërthyer
deri në faqen e fundit dhe janë të rrëfyera me një gjuhë të thjeshtë dhe
me një stil të jashtëzakonshëm profesionist.
Mëhill Tanushi
Londër, shtator 2016
(back to the top)
|
|