|
Përcjellje për lexuesin
Edhe letërsia është me fat. Jeta jote bëhet tregimi yt.
Një ngjarje, gjithsesi e dhimbshme, përcakton drejtimin përfundimtar,
jo jashtë,po brenda vetes, në një izolim e vetëflijim me
dashje.Të bësh një udhëtim të gjatë, gati pa
fund për të takuar një gjysh të shquar, që ka qenë për
45 vjet ankthi i fisit. Një gjysh të perzënë dy herë nga
atdheu, në pushtim dhe në çlirim të tij. Mjaft intriguese,
pa përjashtuar tragjedinë. Një udhëtar që ka jetuar
me gjysmën dhe është vënë në kërkim të gjysmës
tjetër. Padashur u prek e u nuhat bujshëm tharmi i një arti
që flinte në guaskën e një margaritari.Ky udhëtar
nuk pati fat të jetojë me këtë gjysh, sepse ai tashmë nuk
jeton më, kujtimet e tij shkuan bashkë me të, ai la vetëm
tymin e tyre, se zjarri ishte shuar.Vatra tjetër në dhe të huaj
ishte e ftohtë. Këtë gjeti udhëtari. Asgjë më.
Po letërsia është iluzioni i vërtetë.Vetëm ajo
mund të përsërisë botët e vdekura. Në qoftë se
ekziston nostalgjia. Filloi të ngjizej ky iluzion i pamposhtur dhe të bëhej
një përpjekje për bashkimin e dy gjysmave. Në këtë grackë të bukur
dhe tejet tragjike u kap ky udhëtar. Ishte vetëm, krejt vetëm
dhe kjo e ndihmoi. Se letërsia nuk do dëshmitarë, pritës,
përgjues, ajo ngjizet në terrinat e brëndshme dhe shfaqet ose
nuk shfaqet.
Një udhëtar i vetmuar në një super metropol që kërkon
t'ia nis nga e para rikrijimit të fisit.Te paktën në letërsi.
Aty ndjehet më e sigurtë. Po ka punë me të mëdhenjtë.
Ata s'duan t'ia dinë për fis, traditë, amanet, nostalgji, sepse
letërsia është fat. Sepse letërsia është kaq
e përkorë dhe lojcake, kaq e vështirë dhe e panënshtrueshme,
sa duhet të dështosh dhe vetëm të dështosh, pra të ndjehesh
i humbur dhe në cakun final, kur duhet të dorezohesh përfundimisht,
ajo fare papritur, në një ditë të zakonshme, të jep
suksesin që të duket i huaj.
Këtu fillon keqkuptimi. Keqkuptimi i madh. Në kohën që shkruaje,
s'dije ç'bëhej përjashta, merreshe me veten, nënshtroje
bishën, një bishë të re, të pamposhtur, bije në ujdi
me të, po nuk arrije kurrë një marrëveshje. Kjo ishte lufta
e nëntokës nëpër terrinat e brendshme. Sapo u arrit njëfarë marrëveshje
dhe fillove të shikosh botën përqark, në vend të një tufe
me lule, gjete gjarpërinjtë.Të gjithë t'u hodhën në grykë sikur
ti të kishe bërë mëkatin më të madh.Ti vetëm
sa kishe nënshtruar bishën. Pra, kishe arritur suksesin e parë.Vetëm
pse ti ishe fitimtare, lëndove padashur të dështuarit e sukseseve
të mëdha, të vetëshpallurit.
Kjo bota përjashta ishte tejet e komplikuar.Gati nuk të do njeri.
Atëhere ti sërish i kthehesh terrinave të brendshme dhe aty
vazhdon e merresh me bishën e bukur, me iluzionin e dy gjysmave që u
bënë tre. Sepse kjo botë ku je është e treta dhe ca
më fort ke punë me të.
Ti nuk e kupton se ku qëndron ai sekret që pëlqehesh dhe s'pëlqehesh,
që mahniten me ty dhe tërbohen nga helmi me ty. Po të ecën.
Kjo është çeshtja.
Po e ndjej të nevojshme të them më pare, se për kë po
flas. Për një zonjë, një shkrimtare, Albana Lifschin.
Njeriu kur shkruan nuk di si shkruan. Aty zbulon dhe stilin e tij. Ky jam unë,
pëshpërit dhe po s'ra në dashuri me këtë shujte letrare
që nxorri në dritë shkrimi i tij, asgjë nuk realizohet
si duhet, po edhe po se mallkoi, prap asgjë nuk realizohet. Shkrimi është dashuri
dhe mallkim bashkë, është tradhti për heqje dore dhe betim
për bashkim të shenjtë e të përjetshëm. Në këtë përzierje
kundërtish morale ngjizet pavetëdijshëm, shfaqet nga errësira
në dritë një krijese iluzioni.Sa më shumë merresh
me të, aq më të mëdha janë sakrificat.
Pastaj vjen hollësia e zejes. Hollësia është ai mekanizmi
i komplikuar dhe perfekt i orës Omega. I pagabueshëm me kohën.
Korrekt dhe i përpiktë. Kjo përsosmëri e ndjek shkrimtarin
gjithë jeten me pandehmën dhe zhgënjimin bashkë. Here-herë duket
sikur u arrit,po më të shumtën e herëve ky është vetëm
një iluzion. Po vetë fakti që ai shkon drejt përngjasimit
të vet, jo gjasmimit, e lidh atë më fort pas ëndërrës
së suksesit. Kjo tentativë i shton atij shanset, po nuk siguron gjer
në fund përmbushjen e ëndërrës.Vetëm kjo përpjekje
ia vlen.
Një prozë e thjeshtë, e ngrohtë, e shpejtë, lehtësisht
e kuptueshme, plot te papritura. Me një lojë të butë kontrastesh,
pa dramacitetet përvijues, por plot lirizëm të përmbajtur,
me një stil vrojtimi ekzigjent, që rrëmon vertikalisht ca skuta
të imta që të çojnë te marrëdhëniet e
mëdha. Një prozë e drejtpërdrejt, e buruar, jo e paramenduar
dhe e stisur, një rrëfim i çiltër i një shqëtesimi
që ndahet në dy, me intimitet trazues.
Kjo bie ne sy tek tregimet më të mira "Basti i kuajve", "Lypësi
i metrosë", "Fejesë në Halluin", "Natë vere
në Zyrih”, “Magjia e një zëri”, “Rethi
i Kolombit”, "Dashnorë të varfër", etj.
Shpesh e me shpesh flitet për fjalën, për dhimbjen e saj. Në letërsinë e
konsumit fjala është utilitare, i shërben qëllimit thjesht
transmetues dhe vlen për një lexim të rrafshtë, linear.
Kjo lloj letërsie e lehtë mbush sot vitrinat e bestsellerit. Po ekziston
dhe letërsia tjetër, ajo që pretendohet të lexohet për
një kohë të gjatë, ndoshta të shijohet më shumë në kohë të mëvonshme,
siç ndodh me shkrimtarët e mëdhenj. Kafka, Dostojevski, Prusti,
Xhojsi, ku fjala përshfaqet me të gjitha facetat e diamantit, fsheh
mistere si tek shkrimet e shenjta, është e tërëmbushur
me kode profetike. Këto janë dy rrugë me një kryqëzim
në mes. Aty qëndrohet dhe hidhet hapi, hapi i fatit. Në këtë ndalesë e
shikoj shkrimtaren. Aty ka shumë tabela orientimi, po ato s'vlejnë.
Je i paracaktuar ç'rrugë do të marrësh. Fuqia e artit është te
misteri yt. Ne qoftë se e ke misterin. Dëgjojmë shpesh të thonë se
i janë kthyer rileximit, bie fjala, dikush po lexon për të dhjetën
herë "Zonja me kone" të Çehovit dhe zbulon aty papritur
gjëra të reja, që s'i ka vënë re më parë.
Ky është nderi i letërsisë, rikthimi tek ajo. E kemi gjetur
veten në kafe duke i mburrur një shoku që s'është aty
(sa mirë që ata s'janë) një tregim që na ka bërë përshtypje
të madhe. Papritur kemi kapur në mënyrë të vagullt
atë përkim me këtë të vërtetë magjepëse,
joshjen për një rilexim. Sepse atje fshihet një mister. Dhe
ne duam ta zbulojme. Dhe nuk ia arrijmë.Unë i kam lexuar nga dy-
tri herë tregimet e Albanës, sepse kam dashur të zbuloj.
Më ka bërë përshtypje përjetimi i saj si për
herë të parë i gjërave me një lloj naiviteti të moralshëm.
Ajo botë që bën majë në fejesën e Halluinit,
në ditën e shtrigave dhe vampirëve, është kaq e ndryshme
nga bota jonë, sa të duket se ndodhesh në një botë kaosi.
Një marrëdhënie morali e bazuar në mëkatin e shkeljes
së kurorës, jo njëherë, po disa herë, pa shkaktuar
drama.Të gjithë, përveç brezit të vjetër, janë martuar
sërish e sërish janë ndarë, e këto lidhje konstatohen
me gjakftohtësi, sikur të flitet për një lojë golfi.
Autorja është aty, vë buzën në gaz me një dhimbje
të sinqertë. Pikërisht kjo dhimbje përplot befasi mahnitëse
që t'a shkakton integrimi në një shoqëri të re me
një mentalitet tjetër, i cili të imponohet dhunshëm (ashtu
të duket, sepse ti e ndjen këtë dhe me një mbrese fizike)
ka një lexim të dyfishtë. Përshtatja e vështirë dhe
kontradikta e brëndshme me të, përballet me një pasivitet
inteligjent, që ofron më shumë se morali; paanësi vrojtuese,
efekt tronditës emocional.
Në këtë libër është Amerika, si e shikon autorja,
e pandikuar nga të tjerë, janë kontaktet e saj të përditshme,
lidhjet me familjen amerikane ku bën pjese si një emigrante me dramën
e dyzimit të identitetit. Ky është një vend me demokraci
të madhe ku në biblën e historisë së saj e para fjalë është emigrant.
Nuk ka histori në botë që të fillojë me këtë fjali
kaq të thjeshtë demokratike ala Uollt Uitman "Historia e Amerikës është krijuar
nga emigrantët "Nuk është pak të jesh shkrimtar në këtë vend.
Pikërisht në këtë libër bëhen më të prekshme
temat amerikane, dalin më qartë problemet, dënduria e hollësirave
psikologjike të familjes, zvetënimi e degradimi i mentalitetit të vjetër
të mënyrës së jetesës, përmbysja e një sistemi
të tërë marrëdhëniesh dhe formësimi dramatik
i lidhjeve moderne përplot rreziqe morale, por dhe novacione përtëritëse.
Shkrimtaren e mahnit pleqëria, kjo rini e dytë amerikane. Ajo qe
na rrëfen autorja te tregimi " Sekretet e moshës " është si
një spektakël i ngjyrshëm, sa dramatik aq dhe gazmor, po gjithsesi
optimist e i çuditshëm. Një vjehrrë amerikane që jeton
vetëm dhe bën zakonet e një riosheje të dashuruar, vitet
që i kanë mbetur janë vite rinie, përgatitje për një dashuri
të re. Ajo çdo ditë e ka të zënë me lidhje
delikate njerëzore. Dhe të mendosh se ajo i ka mbushur të 90-at.
Një nga karakteristikat spektakolare të kësaj Bote të Re,
optimizmi i jetës, këtu merr përmasa proverbiale. Këto
hollësira e imtësira të lidhjeve e marrëdhënieve që zbulojnë një botë krejt
tjetër nga ajo e jona, përbëjnë atë mekanizmin e orës
Omega, që përmenda pak më sipër. Si ecën kjo orë?
Eshtë perfekte? Ajo mat kohën, kohën e shpirtit, kaq mjafton,
të tjerat janë punë të mjeshtrisë, që s'ka fund.
Nga libri në libër Albana Lifschin ka zbutur tregimin, këte
kalë të hazdisur gare."Kafe Shkodra e Nju Jorkut" është libri
i parë, sprova e realitetit të ri me nostalgjinë. Ngritja është shënuar
me dy librat e fundit "Takim me të papriturën" dhe "Ura
mbi oqean".
Autorja punon në një zyrë avokatie në Manhattan, njëkohësisht
jep mësim në një kolegj. Po mbi të gjitha është pjestare
e një familje amerikane. Tre këto burime faktesh e hollësish
jetësore i kanë sjellë prozës së saj të shkurtër
një tharm të freskët. Po nuk duhet të harrojmë dhe
gjyshin e saj, patriotin e madh, preteksti sue generis, që ajo të vinte
në Amerikë. Këto janë rrethanat që e kanë përkëdhelur
autoren, rasti dhe fati i saj. Nuk mund të shkruhej ashtu si rastësisht
tregimi i mrekullueshëm "Nate vere në Zyrih". Po as tregimi
tjetër "Lypësi i metrosë". Në të parin është thjeshtë trazimi
delikat i një lidhjeje të konsumuar, një zhgënjim fin,
një përjetim krejt vetjak, i zbuluar me mjeshtri. Në të dytin
stresi i përditshem i jetës së tensionuar amerikane. Ky është një vëzhgim
i hollë me një grafikë të spikatur dramatike përplot
sens, rrëfimi është i drejtpërdrejtë, i shpejtë,
i lehtë në të kuptuar, ruan një sensasion në fund.
Ritmi i tregimit në këtë libër lidhet me emocionin. Shkurtësia
i ka lënë vendin ekspresivitetit. Suspansi bën majë veçanërisht
në tregimet me funde të papritura ala O'Henri. Në tregimet më të mira
nuk e di se ku do të dalë autorja, fillimi nuk dekonspiron dhe fundet
jane të mbushura me gjetje befasuese “Rrethi i Kolombit," Basti
i kuajve", Magjia e një zëri", "Dashnorë të varfër".
Shkrimtari është gjithmonë në kërkim të formës.
Ajo e mundon më shumë. Realiteti i ndritshëm, terrinat e brendshme
të shpirtit, marrëdhëniet delikate e të rrezikshme, stresi,
optimizmi i jetës, aventura e përditshme dhe e përjetshme për
t'i këputur dhe një ëndërr tokës dhe qiellit, emigranti,
dyzimi i identitetit, familja amerikane, vijnë me gjetje të qëmtuara
me delikatesë dhe emocion në faqet e këtij libri.
Roland Gjoza
Shkrimtar
Nju Jork, tetor 2008
Pėrshtypje
E lexova me ėndje dorėshkrimin e librit tė ri "Magjia e njė Zėri".
Them me ėndje, se isha i sigurt qė je nė vazhdimin e talentit tėnd tė dukshėm,
siē ta kam thėnė pėr vėllimin e mėparmė me tregime. Pėr mendimin tim ti mbetesh
vetvetja, tanimė e formėsuar saktė si talent.
Mė bėn pėrshtypje se ti mbetesh nikoqire e saktė dhe e kursyer e fjalės. Kjo
shihet nė tėrė llojet e rrėfimit tėnd, edhe nė motive lirizmi, edhe ngjarje dramatike,
edhe nė analiza psikologjike
Agim Shehu
Gjenevė, Zvicėr
(back to the top)
|
|