Home      My Books      Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare      Kafe Shkodra e Nju Jorkut      Children of Kosova      Fundjave ne Hillsajd      Zëra Nga Larg      POEZI      Udhëtim në Historinë Amerikane      Journey Into American History (impressions)      Takim me të papriturën      Yesterday I Cut My Hair      Ura mbi oqean      Magjia e një zëri      Ka gjithmonë diku - Përshtypje      Disa tregime nga autorja      Vjehërr amerikane      Intervista      Përkthime      Yjet nuk janë të kuq      Photographs  

 

 

Official Website of author

ALBANA MELYSHI LIFSCHIN

Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare

 

 

 

Realitete të çertifikuara me vlerë historike

Albana Melyshi Lifschin, shkrimtare e njohur shqiptaro-amerikane, pas një përvoje shumë të gjatë në letërsinë artistike me disa vepra të botuara në prozë dhe poezi, i është rikthyer publicistikës, pasionit të saj të vjetër dhe të pa ndërprerë që e ka mbajtur të lidhur ngushtë me profesionin fillestar, gazetarinë. Shkrimtari dhe publicisti shpesh nuk qëndrojnë në një, nuk janë domosdoshmërisht e njejta gjë. Ka shkrimtarë që nuk kanë botuar ndonjëherë publicistikë, ashtu siç ka publicistë që nuk kanë shkruar ndonjëherë letërsi artistike. Por ama, kur i njejti autor lëvron njëherazi edhe letërsinë artistike edhe publicistikën letrare, si në rastin e Albanës, atëherë mbështetja mbi realitetin është më e fortë dhe veprat janë më dinjitoze e i rezistojnë më gjatë kohës. Ndaj, nuk është e rastit, që tek të gjitha veprat e botuara të Albana Melyshit ndjehet fort kjo lidhje me realitetin.
Të gjithë e kemi vënë re që librat publicistik rrijnë shumë mirë në bibliotekat tona. Krahasuar me letërsinë tjetër të shkruar, si romanet, tregimet, poezitë etj, në të vërtetë ato janë më të vlefshme për lexuesin, për historinë dhe për kohën. Ndërsa tek letërsia tjetër, ndonëse ngasjet dhe ngjarjet marrin shkas nga realiteti dhe më pas vishen me imagjinatën dhe trillin artistik, me publicistikën ndodh ndryshe. Ajo është vetë realiteti i fotografuar në çast. Ngjarjet, personazhet, rrethanat, përshkrimet, janë realitete të çertifikuara, e kësisoj janë referenca të padyshimta për historianët dhe çdo të interesuar rreth ngjarjeve të caktuara. Por ndodh shpesh që publicistika humbet e harruar pasi botohet në ndonjë të përditëshme për shkak të pamundësisë, neglizhencës apo moskujdesit të autorëve, prandaj botimi i kësaj përmbledhje publicistike nga ana e Albanës duhet vlerësuar si një kontribut me vlerë në përgjithësi për letërsinë, e në veçanti për historinë.
Publicistika letrare e përmbledhur në librin "Perëndimi Mistik" është një lloj dritë-hije nga dy kontinente, ashtu siç është e ndarë vetë jeta e Albanës shkrimtare e gazetare në mes Shqipërisë dhe Amerikës. Në rrëfimet e saj ndjehet përgjegjësia serioze e gazetares që shkruan e tregon bukur, që është korrekte dhe shqetësohet për ato që thotë. Ajo qëmton me kujdes ngjarje dhe fakte interesante dhe i sjell në vëmendjen e lexuesit me natyrshmëri dhe me një stil të këndshëm.
Në udhëtimet e saj nëpër Amerikë, por edhe gjatë vizitave në kthimet e saj të herë pas herëshme në Shqipëri, Albana jo vetëm ka nuhatje të thellë në fakte e ngjarje, por ka edhe një të ecur të mençur të penës së saj, pa pretenduar t'i mbushë mendjen lexuesit, por me kërkesën që të hyjë thjeshtë në përfytyrimin e tyre. Për lexuesin shqiptar janë mjaft interesante disa fakte historike, një pjesë të panjohura, të treguara bukur e me ndjenjë, siç janë rrëfimet për Amishët - një popull i çuditshëm amerikan që jeton i mbyllur brenda zakoneve e dokeve të veta fisnore, jashtë kontakteve me botën e qytetëruar, misionin komunist të kultit të Xhim Xhonsit që bëri vetvrasjen më të madhe të shekullit të XX, me rreth 1000 njerëz, apo lirinë e shprehjes me kushtetutë të protestës deri në lejimin e aktit të djegjes së flamurit amerikan, e shumë e shumë rrëfime të tjera. Ashtu sikurse edhe lexuesi amerikan, nëpërmjet reportazheve e shënimeve të Albanës gjatë udhëtimeve në vendlindje njihet me copëza të historisë dhe të realiteteve të hershme e të vona shqiptare.
Libri më i ri "Perëndimi Mistik" i Albana Melyshi Lifschin është një vlerë e shtuar në publicistikën letrare shqiptare e më gjërë. Ai lexohet me një frymë, sepse ngjarjet janë interesante që të mbajnë të mbërthyer deri në faqen e fundit dhe janë të rrëfyera me një gjuhë të thjeshtë dhe me një stil të jashtëzakonshëm profesionist.

Mëhill Tanushi
Gazetar
Londër, shtator 2016


(back to the top)

 
Albana's Home Page My Books Perëndimi Mistik - Publicistikë Letrare Kafe Shkodra e Nju Jorkut
Children of Kosova Fundjave ne Hillsajd Zëra Nga Larg POEZI
Udhëtim në Historinë Amerikane Journey Into American History
(impressions)
Takim me të papriturën Yesterday I Cut My Hair
Ura mbi oqean Magjia e një zëri Ka gjithmonë diku - Përshtypje Disa tregime nga autorja
Vjehërr amerikane Intervista Përkthime Yjet nuk janë të kuq
Photographs